“Formimi i ushtrisë së Kosovës mund të rrezikojë dialogun me Serbinë”

Kuvendi i Kosovës sot në leximin e parë votoi tre projektligje për transformimin e FSK-së, projektligje këto që i hapin rrugë formimit të ushtrisë së Kosovës.
Pas votimit të projektligjeve për transformimin e FSK-së, kanë ardhur reagime të shumta nga Serbia, shkruan lajmi.net

Agjencia serbe e lajmeve “Beta”, duke u thirrur në burime të veta brenda NATO-s dhe Brukselit, shkruan se çdo ndryshim në mandatin e FSK-së duhet të kryhet në konsultim me të gjitha komunitetet në Kosovë.

Sipas këtyre burimeve diplomatike të Brukselit, përpjekja e Prishtinës për të krijuar një ushtri të Kosovës mund të rrezikojë dialogun me Beogradin, transmeton lajmi.net.Sipas “Beta”-s, NATO-ja mbështet zhvillimin e FSK-së në përputhje me mandatin aktual dhe se, çdo përpjekje për mandatin e saj duhet të kryhet në konsultim të plotë me të gjitha komunitetet në Kosovës dhe aleatët e NATO-s.Duke u bazuar në këto burime, ky medium shkruan se, NATO-ja dhe SHBA-ja nuk janë edhe aq të kënaqura me qeverinë e Kosovës për përpjekjet për formimin e ushtrisë pasi që sipas tyre, kjo do të ndikonte në bisedimet Prishtinë-Beograd dhe në një zgjidhje paqësore për Kosovën, përcjell lajmi.net.

Mirëpo, NATO-ja mbështet FSK-në në bazë të mandatit aktual si një forcë profesionale e cila është burim stabiliteti në rajon.Zyrtarët ndërkombëtarë diplomatikë në Bruksel gjithashtu kanë vlerësuar se dialogu dhe qëllimi i një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse me Beogradin do të dëmtohen seriozisht nëse Prishtina do të formonte siç shkruan “Beta”, në mënyrë arbitrare forcat e armatosura.Këto burime të “Beta”-s pohojnë se “As NATO-ja e as Shtetet e Bashkuara nuk janë me të vërtetë të entuziazmuar me përpjekjen e qeverisë në Prishtinë për të filluar formimin e Ushtrisë së Kosovës, sepse ata besojnë se kjo do të ndikonte në dialogun për një zgjidhje paqësore me Kosovën”, kjo për faktin se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është vendimtar.Këto burime theksojnë se është e kuptueshme që kjo është një “sfidë për Beogradin”, duke iu referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën dhe thonë se, duke u bazuar në këtë Rezolutë vetëm trupat e NATO-s dhe KFOR-it mund të jenë trupa ushtarak në Kosovë, përcjell lajmi.net.

“Përparimi ushtarak në Kosovë e ka vënë Serbinë në një situatë të vështirë rreth vazhdimit të dialogut”, shkruan më tutje “Beta”, transmeton lajmi.net.Ndryshe sot me 101 pro, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan në lexim të parë tre projektligje për transformimin e FSK-së, projektligje këto që i hapin rrugë formimit të ushtrisë së Kosovës.

Mirëpo, këtë votim e bojkotuan deputetët e Listës Serbe të cilët edhe u larguan nga salla e Kuvendit të Kosovës.