Forcat turke neutralizojnë 4 terroristë në veri të Irakut

Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) kanë neutralizuar të paktën katër terroristë përmes operacioneve ajrore në veri të Irakut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një njoftimi të Shtatmadhorisë së Turqisë, operacionet janë kryer dje në rajonet Hakurk dhe Zap, ku janë asgjësuar bunkerë, strehimore dhe depo municionesh të terroristëve.

Operacionet ajrore mbi objektivat e PKK-së në veri të Irakut, ku grupi terrorist ka bazën e vet kryesore në malin Kandil pranë kufirit iranian, janë kryer rregullisht që nga korriku i vitit 2015, kur PKK rifilloi fushatën e saj të armatosur.

PKK cilësohet si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe BE-ja. Në fushatën terroriste kundër Turqisë, e cila ka zgjatur më shumë se tre dekada, janë vrarë mbi 40 mijë njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë.