Forcat izraelite arrestojnë 10 palestinezë në Bregun Perëndimor

Ushtarët izraelitë kanë arrestuar 10 palestinezë, nga të cilët 2 gra në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ushtria izraelite tha në një deklaratë se 10 palestinezë janë arrestuar në bastisjet e organizuara gjatë orëve të natës në rajone të ndryshme të Bregut Perëndimor me pretendimin se “janë përfshirë në vepra terroriste”, pa elaboruar se për çfarë vepra bëhet fjalë.

Palestinezët e arrestuar janë dërguar në qendrën e arrestit në rajon, thuhet në deklaratën e ushtrisë.

Ndërkohë shtypi palestinez njoftoi se nga të arrestuarit dy janë gra. Njëra nga gratë në fjalë, është Shuruk Badan, grua 25 vjeçare, nënë e 2 fëmijëve.

Forcat izraelite shpesh kryejnë arrestime në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar dhe arrestojnë palestinezët me pretendime të ndryshme.

Pas arrestimeve, të cilat janë bërë të përditshme, disa nga palestinezët, përfshirë gra dhe fëmijë, mbahen me ditë të tëra në qendra burgimi.

Sipas të dhënave të burimeve zyrtare palestineze, në burgjet e Izraelit ndodhen 5.700 palestinezë, përfshirë 230 fëmijë dhe 500 që mbahen nën masën e ashtuquajtur “burgim administrativ”.

Përmes “burgimit administrativ”, Izraeli privon palestinezët nga liria nga një deri në gjashtë muaj, duke u bazuar në informacione të shërbimit informativ. Ky lloj burgimi mund të zgjatet madje deri në 5 vite me vendim të gjykatësit ushtarak pa ngritur aktakuzë, në rast se merret vendim që personi i burgosur “përbën kërcënim për sigurinë e Izraelit”.