Flet specialisti i huaj: Bregdeti shqiptar, i ekspozuar ndaj rreziqeve sizmike

Bregdeti shqiptar është i ekspozuar ndaj rreziqeve sizmike.

Profesor Frederik Tilmann, drejtues i sektorit të sizmologjisë në Qendrën gjermane të Studimeve Gjeologjike (GFZ) në Potsdam, tregon në një intervistë për DW, arsyet e tërmeteve në rajonin e Evropës Juglindore.

Sipas tij, bregdeti shqiptar hyn tek ato rajone të Evropës që kanë qenë të ekspozuara ndaj rreziqeve të rënda sizmike. Tërmetet në këtë rajon kanë të bëjnë me lëvizje të Afrikës drejt veriut. Pllaka kontinentale afrikane lëviz me disa milimetra në vit drejt Evropës. Këto përplasje kontinentale krijojnë tensione, sidomos pjesë të mikropllakës së Adriatikut shtyhen e hyjnë nën Ballkan.

“Tërmeti në afërsi të Tiranës ka të bëjë me këto tensione”, thotë Tilman.

Ai nënvizon se Italia dhe Evropa juglindore janë rajonet më të rrezikuara sizmike të Evropës dhe si rezultat atje shfaqet një aktivitet i lartë tërmetesh të vogla dhe të parrezikshme. Tilman sqaron ndërkohë se parashikimi afatshkurtër i tërmetit nuk është i mundur në gjendjen aktuale.

“Sidoqoftë”, thotë ai, “me vëzhgimin e vazhdueshëm të aktivitetit të tërmeteve mund ta vlerësosh më mirë rrezikimin e rajoneve të caktuara në një periudhë afatgjatë’.

Përveç kësaj për shkak të përcaktimit të shpejtë të parametrave të lëkundjeve mund të jepet ndihma me efikasitet dhe në disa raste është e mundur edhe paralajmërimi disa sekonda përpara. Por sisteme të tilla ka në pak vende, si në Mexico-City dhe në Japoni.