Fitorja e kandidatit opozitar në Stamboll, prova më e fortë se Turqia është një vend demokratik

Kjo është demokracia funksionale turke: Ekrem Imamogllu zgjidhet kryebashkiaku i ri i Stambollit! Kandidati i republikanëve ka fituar dhe në ripërsëritjen e zgjedhjeve, madje me një shtim të pamenduar të votave pro tij. Imamogllu ka siguruar mbi 54 për qind të votave, me një rritje dramatike të tyre, kundërshtari ka mbetuar më diçka më tepër se 45 për qind, me një rënie po aq dramatike.

Procesi i përsëritjes së zgjedhjeve nuk ka patur asgjë të paligjshme, asgjë të jashtëzakonshme, siç kritikët e AKP-së dhe të presidentit turk u munduan ta paraqesin. Fitorja e Imamogllusë më 31 mars u kundërshtua me të drejtë nga rivali i tij, i partisë në pushtet dhe i Aleancës Popullore. Diferenca e ngushtë në vota dhe rinumërimi i pjesshëm (fare i vogël krahasuar me numrin disamilionësh të votuesve) që e ngushtoi më tepër atë, bashkuar me një varg parregullsish të tjera flagrante, qenë arsye të forta për ta kundërshtuar rezultatin.

Binali Jëlldërëm, dhe AKP-ja, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, me të, kërkuan fillimisht rinumërimin e plotë të votave të Stambollit. Kërkesë e cila nuk u pranua. YSK-ja, organi më i lartë zgjedhor në Turqi, do të vendoste për ribërjen e zgjedhjeve.

I panjohur më parë dhe nga vetë anëtarët e partisë së tij republikane, CHP-së, drejtues i një minibashkie në periferi të Stambollit, i quajtur një projekt nga një pjesë e mirë e njohësve të politikës në vend, Ekrem Imamogllu arriti të rifitonte në përsëritjen e zgjedhjeve. Njollat e figurës së tij, veçanërisht të vëna pas një incidenti gjatë fushatës, dhe një numër gënjeshtrash nga ai nuk ia penguan triumfin. Kështu vendosën qytetarët e Stambollit!

Me të dalë rezultatet pasditen e vonë të së dielës, analistë të shumtë kanë shpjeguar në ekranet e televizioneve turke arsyet për humbjen e thellë të Binali Jëlldërëmit. Renditja e tyre do të ishte e tepërt këtu; arsyet janë politike, ekonomike, sociologjike, psikologjike, dialektike, etj. Rezultati vlen të shihet më tepër nga një tjetër kënd: Turqia është një vend demokratik, demokracia turke është funksionale. E diela tregoi se në zgjedhjet në Turqi mund të fitojë çdokush. Ta ngatërrosh qëllimisht autoritetin e presidentit të vendit me diktaturën, do të thotë të flasësh gjepura, do të thotë të shpërudhësh opinionin. Në ç’diktaturë mund të fitohej kështu?

Kandidati humbës e uroi fituesin rrufeshëm, pak çaste para se të niste publikimi i numërimit të votave. Jëlldërëm i shprehu atij gatishmërinë për të dhënë kontributin në të mirë të Stambollit. Urimi nuk mungoi as nga presidenti Erdogan.

Ata respektuan votën e lirë të qytetarëve, vullnetin e tyre, siç kanë bërë gjatë gjithë qenies në politikë. Ashtu si në jetë, dhe në politikë ka humbje. E rëndësishme është të dish të nxjerrësh mësime.

Fitorja e Imamogllusë thotë shumë gjëra: e para, se demokracia turke funksionon më së miri, pavarësisht të gjitha përpjekjeve për ta paraqitur si të asfiksuar, se vullneti kombëtar respektohet! /tesheshi.com/