Fitore të lehta për Ballkanin e Prishtinën, Ferizaj ndal Feronikelin

Kanë përfunduar tri ndeshjet e sotme në Superligën e Kosovës në futboll.

Skuadra e Prishtinës ka arritur të shënojë fitore të lehtë, por të rëndësishme për garën për titull, duke e mposhtur Vushtrrinë me rezultatin 4:0.

Golat për Prishtinën i shënuan Endrit Krasniqi dhe sulmuesi afrikan Otto John në pjesën e parë, kurse në pjesën e dytë shënuan Gauthier Mankenda dhe Meriton Korenica për rezultatin përfundimtar, raporton Koha.net.

Me këtë fitore, Prishtina ngjitet në pozitën e dytë tabelare, me 2 pikë para Gjilanit dhe 3 para Dritës, të cilat ende s’i kanë zhvilluar përballjet në xhiron e 18-të.

Ndërkaq, lideri i Superligës, Ballkani i Suharekës, nuk lejoi befasi në këtë xhiro, duke mposhtur Drenicën me rezultatin 2:0.

Golat për skuadrën e Ismet Munishit i realizuan Jetmir Topalli dhe Arbër Hoxha.

Në ndeshjen mes Ferizajt dhe Feronikelit për pak sa nuk ndodhi befasia. Vendësit arritën të kalojnë në epërsi 5 minuta pa përfunduar pjesa e parë përmes Kenan Oranas, kurse Nikli këtë epërsi arriti ta neutralizonte vetëm në minutën e 75-të përmes Nicholas Andrewsit.

Me këtë barazim, Nikli mbetet në pozitën e 5-të me 28 pikë, kurse Ferizaj me 18, mbetet në pozitën e 10-të.