Fitojnë Llapi, e Dukagjini – Gjilani befason Feronikelin

Janë mbyllur tri ndeshjet e para të xhiros së 10-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Në tri ndeshje të luajtura, nuk ka pasur asnjë barazim (Feronikeli 1:2 Gjilani; Dukagjini 1:0 Vushtrria; Llapi 4:1 Trepça 89), shkruan lajmi.net.

Takimi i luajtur në Drenas, ndërmjet Feronikelit dhe Gjilanit u mbyll me rezultatin 1:2, duke u vendosur vetëm pas minutës së 73’, kur Carioca Jean hapi serinë e golave, për t’i dhënë epërsinë Feronikelit.

Kur të gjithë menduan se tri pikët do të mbeten në Drenas, Gjilani reagoi duke realizuar dy gola brenda tre minutave, me anë të Veliu 81’ dhe Kastrati 84’

Në anën tjetër, ndeshja Llapi – Trepça 89 ishte më interesante, ku vendësit arritën të fitojnë me përmbysje.

Fillimisht, Jashari kaloi në epërsi skuadrën mysafire, qysh në minutën e parë të ndeshjes. Vendasit përmbysën në pjesën e dytë me dy gola të shpejtë, me anë të Osmanit 66’ dhe Emini në minutën e 71’. Rezultatin e vulosën golat e Osmanit në minutën e 77’ dhe Hyseni 10 minuta më vonë, shkruan lajmi.net.

Në anën tjetër të Kosovës, në Dukagjin, në ndeshjen e fundit të tabelës, Dukagjini fitoi minimalisht ndaj Vushtrrisë.

Golin e vetëm në këtë takim arriti ta realizonte Merlaku, kur luhej minuta e 17’ e takimit.

Me këto rezultate, Llapi merr pozitën e tretë në tabelë me 20 pikë, katër më shumë sesa Feronikeli në pozitën e pestë që ka 16 pikë, kurse Dukagjini numëron 7 pikë në pozitën e parafundit.

Gjilani mban pozitën e parë me 21 pikë të grumbulluara pas 10 ndeshjeve, Trepça 89 renditet në vendin e shtatë, me 10 pikë, kurse Vushtrria në pozitën e fundit ka marrë vetëm gjashtë pikë këtë edicion.