Finalizohet teksti i letërkëmbimit Kosovë-BE, misioni i EULEX-it përfundon këtë vit

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur shefen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou.

Presidenti Thaçi dhe shefja e EULEX-it në Kosovë kanë konstatuar se është finalizuar teksti i letërkëmbimit ndërmjet Kosovës dhe institucioneve të Bashkimit Evropian, që parasheh përfundimin e misionit të EULEX-it në Kosovë në këtë vit.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar ambasadoren Papadopoulou për qasjen konstruktive dhe për bashkëpunimin e misionit të EULEX-it dhe të gjitha institucioneve të Bashkimit Evropian.

Ndryshe, nga mesi i qershorit, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX, pritet të ndryshojë mandatin.

Mandati aktual, me përgjegjësi ekzekutive, monitoruese dhe mentoruese nga fusha e sigurisë dhe drejtësisë, këtij misioni i mbaron pikërisht nga 14 qershori, kur edhe pritet të kalojë në mandatin këshillëdhënës.