Fillon shitja e biletave në tregun e zi për ndeshjen Kosovë – Angli

Ende pa filluar procesi i shitjes së biletave për ndeshjen mes Kosovës dhe Anglisë, e paraparë të zhvillohet më 17 nëntor në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Burimet e lajmi.net brenda FFK-së kanë konfirmuar se nuk ka asnjë biletë në dispozicion, pavarësisht se sajti që merret me shitjen e tyre nuk ka funksionuar fare që disa orë.

”Tiks.app” vetëm disa minuta më parë paralajmëroi që faqja ka rënë për shkak të ngarkesës së madhe [pa treguar nëse janë shtiur biletat], por edhe pse nuk ka funksionuar, biletat çuditërisht janë shitur të gjitha.

Ky burim më tej ka shtuar se nuk ka asnjë gjasë që tashmë të sigurohet një biletë për ndeshjen vendimtare të 17 nëntorit ndaj Anglisë.

Fillimisht para orës 16:00 kur do fillonte shitja e tyre, sajti ra së funksionuari – ndërsa më pas vazhduan problemet teknike, të cilat qytetarët i kanë paraqitur me shumë zemërim në rrjetet sociale.

Federata e Futbollit të Kosovës vazhdon dështimin në këtë aspekt, çka ka irrituar tejmase qytetarët që vazhdimisht po shfaqin pakënaqësitë në rrjetet sociale.