Fillon Samiti i NATO-s në Londër me theks në unitetin

Samiti i liderëve të vendeve anëtare të NATO-s në Londër që feston 70-vjetorin e aleancës filloi sot me deklarata ku theksohet solidariteti dhe uniteti në aleancë, raporton Anadolu Agency (AA).

“NATO mbetet platforma e vetme ku Amerika e Veriut dhe Evropa diskutojnë, vendosin dhe ndërmarrin veprime bashkë çdo ditë për të mbrojtur pothuajse 1 miliardë njerëz”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë fjalimit të tij në hapjen e samitit.

“Kështu që, pavarësisht dallimeve tona, ne do të vazhdojmë të bashkohemi rreth detyrës sonë themelore për të mbrojtur njëri-tjetrin, të gjithë për një dhe një për të gjithë”, shtoi ai.

Stoltenberg gjithashtu tha se “NATO është aleanca më e suksesshme në histori për shkak se ne kemi ndryshuar sikurse ka ndryshuar bota”.

Në fjalimin e tij gjatë samitit, kryeministri britanik Boris Johnson tha: “Fakti që ne jetojmë në paqe sot tregon fuqinë e propozimit të thjeshtë në zemër të kësaj aleance: që për aq kohë sa ne qëndrojmë së bashku, askush nuk mund të shpresojë që të na mposhtë dhe për këtë arsye askush nuk do të fillojë luftë”.

Duke iu referuar Nenit 5 të Statutit të NATO-s, pjesës së mbrojtjes kolektive, Johnson tha: “Nëse ndonjëri nga ne sulmohet, të gjithë ne do të shkojmë në mbrojtjen e tij”. 

“Nëse NATO ka një moto, ajo është: Një për të gjithë dhe të gjithë për një”, shtoi kryeministri britanik.

Stoltenberg gjithashtu tha se që nga viti 2016, aleatët evropianë dhe Kanadaja kanë rritur buxhetet e tyre të mbrojtjes, duke adresuar ankesat e shpeshta të presidentit amerikan Donald Trump.

“Ata kanë shtuar 130 miliardë dollarë në buxhetet e tyre të mbrojtjes. Kjo është e pashembullt. Po e bën NATO-n më të fortë”, tha ai.

Kryeministri britanik tha se sa i përket Mbretërisë së Bashkuara, ata harxhojnë mbi 2 për qind të PBB-së për mbrojtje.

Më herët gjatë ditës, Stoltenberg tha se liderët do të adresojnë disa çështje, duke përfshirë “luftën kundër terrorizmit, kontrollin e armëve, marrëdhëniet me Rusinë dhe për herë të parë në historinë e NATO-s gjithashtu do të ulemi me liderët e NATO-s dhe do të adresojmë rritjen e Kinës”.

Pas mbërritjes së tyre, liderët patën një ceremoni zyrtare të përshëndetjes Stoltenbergun dhe Johnsonin.

Liderët e NATO-s gjithashtu bënë një fotografi të përbashkët para takimit.