Fillon mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë

Ka filluar mbledhja e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që po mbahet në Pejë.

Në këtë mbledhje të pestën me radhë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në këtë takim do të nënshkruhen nëntë marrëveshje, marrëveshje këto që sipas tij, do të çojnë në unifikimin e ekonomive të të dyja shteteve.

“Jam i lumtur për të arriturat e këtij takimi të përbashkët dhe jam i bindur që mundësia që të nënshkruajmë 9 marrëveshje do të çoj në një të ardhme të afërt që do të çoj në unifikimin e ekonomive tona”, deklaroi Haradinaj, raporton lajmi.net.

Tutje ai ka thënë se është i vetëdijshëm që populli i Kosovës dhe Shqipërisë pret shumë, mirëpo siç u shpreh ai, me punë dhe zhvillim do të nderohet edhe sakrifica e shumë brezave.Në hapjen e kësaj mbledhje, Haradinaj foli edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.Ai ka thënë se Kosova është në pritje të institucioneve të Bashkimit Evropian për marrjen e vendimit, pasi që siç u shpreh kreu i ekzekutivit, Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së.

“Ashtu si çdo vend tjetër çdo popull, edhe Kosova pret që e drejta e vet të respektohet dhe qytetarët nga institucionet vendimmarrëse të BE-së. Kosova me sukses ka kryer punët e veta”, deklaroi Haradinaj.

Tutje kreu i ekzekutivit po ashtu ka thënë se Kosova me sukses ka përmbyllur edhe planin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.