Filipine, rritet në 47 numri i viktimave nga tajfuni

Numri i të vdekurve nga tajfuni i fuqishëm që goditi disa pjesë të Filipineve javën e kaluar është rritur në 47, njoftoi media zyrtare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Numri i të plagosurve gjithashtu është ngjitur në 143, ndërsa nëntë të tjerë raportohet se janë të zhdukur si rezultat i stuhisë, raportoi Agjencia shtetërore e Lajmeve e Filipineve.

Viktimat janë raportuar nga katër rajone në Filipinet qendrore dhe në verilindje të ishillit jugor Mindanao.

Tajfuni “Fanfone”, i njohur në vend si Ursula, goditi provincën Samari Lindor më 24 dhjetor, duke shkaktuar shkatërrim të madh në gjithë Filipinet qendrore dhe disa pjesë të Mindanaos.

Sipas agjencisë, tajfuni ka prekur afro 482.350 familje dhe ka dëmtuar 378.312 shtëpi, nga të cilat 103.111 janë shkatërruar plotësisht dhe 275.194 prej tyre janë dëmtuar pjesërisht, edhe atë në zonat Mimaropa, Visayas Perëndimor, Visayas Qendror dhe Visayas Lindor.

Tajfuni gjithashtu ka shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë dhe bujqësi në rajonet e prekura.

Agjencia tha se autoritetet kanë strehuar 111.345 njerëz në 602 qendra të përkohshme.