Festa e të dashuruarve!

 Vendi: Roma
 Koha: 207 e.r.

 Prifti Valentino bie në dashuri me vajzën e perandorit, Klaudius, me të cilën edhe bën amoralitet, ngase besimi i tij i krishterë ia ndalonte atij martesën. Me të dëgjuar këtë, perandori Klaudius e ekzekutoi atë.
 Nëse në këtë tregim ka ndonjë hero, atëherë ai është perandori, e jo Valentino, mirëpo njerëzit përherë ia veshin kostumin e heroizmit kujt të duan ata dhe ia zhveshin kujt të duan ata.
 Po qe se njerëzit e morën ditën e ekzekutimit të Valentinos, festë të të dashuruarve, kjo është thjesht punë e tyre, siç është punë e tyre ta ngatërrojnë dashurinë me epshin!
 Po, ç’është me ne që importojmë çdo gjë, nga gjilpëra e deri te raketa, që po importojmë edhe dashnorët?!
 Kur Ibn Hazmi e shkroi librin e tij të famshëm Tavkul-hamame (Gjerdani i pëllumbeshës), e stilin e tij e ndoqi Ibnul-Kajjimi në librin e tij Revdatul-muhibbin (Kopshti i të dashuruarve), nuk u shkoi fare në mendje që dashuria do të kishte një festë vjetore, për faktin se dashuria është një ndjesi e pashkëputur në asnjë moment në jetën e muslimanit. Me dashuri, ai jeton, e me të edhe vdes. Kjo nuk është fare e çuditshme, pasi që feja jonë edhe mbështetet në dashuri: 
 “Thuaj: Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, e Allahu do t’ju dojë dhe do t’ju falë gjynahet”. (Ali Imran: 31)
 A ke dëgjuar për dashnorët arabë?!
 A ke dëgjuar për Umer ibn Ebi Rebian, ditën kur ishte i shtrirë në shtratin e vdekjes dhe filloi t’i lutej Allahut, duke kërkuar falje? Në atë çast, dikush i tha: A pas tërë asaj çfarë ke bërë? 

Ai e kapi rrobën e tij dhe tha: “Për Allahun, nuk e kam zhveshur në haram!”
A ke dëgjuar për tregimin e Antaras, i cili në valën e luftës e kujtoi Ablën?
A ke dëgjuar për Imrul-Kajsin dhe Fatimen?
A ke dëgjuar për Xhemilin i cili e dashuronte një kohë Buthejnën, duke refuzuar që pa martesë, t’ia prek një fije floku?
A ke dëgjuar për Kajs ibnul-Mulevveh (Mexhnun Lejla), i cili, ditën e Arafatit, kur njerëzit erdhën me mëkatet e tyre tek Allahu, erdhi duke u penduar përveç nga dashuria ndaj Lejlas?
Lista është e gjatë…
Po, a ke dëgjuar, vallë, për zotëriun e të dashuruarve, i cili vazhdoi ta përmendte Hadixhenë edhe pas vdekjes së saj?
Aisheja bëhej xheloze dhe thoshte: “A ende po e përmend atë, duke qenë se Allahu ta ka zëvendësuar me më të mirë se ajo?”
Ai thoshte: “Pasha Allahun, Allahu nuk ma zëvendësoi me ndonjë më të mirë se Hadixheja!”
Ne e kemi shpikur dashurinë, jetuam për të dhe vdiqëm për hir të saj, para se të shiten nëpër dyqane buqeta të kuqe!

                                                                                                                 Përgatiti:
                                                                                                             Jahja Hondozi