Festa e Kurban Bajramit, Bashkia e Tiranës shtron drekë festive për njerëzit në nevojë

Edhe këtë vit, Bashkia e Tiranës shtroi një drekë festive në të gjitha qendrat e saj sociale për disa dhjetëra familje në nevojë, të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuar, me rastin e ditës së shenjtë të Kurban Bajramit.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zgjodhi të shërbente drekën në mensën sociale “Gonxhe Bojaxhiu” në Njësinë 4, pranë shkollës “Ardian Klosi”

“Jam shumë krenar që kjo qendër sociale në Bregun e Lumit është bërë model. Madje, shumë prej kryetarëve të bashkive të reja që kanë filluar punë tani, kanë kërkuar që të vijnë në Tiranë dhe të shohin si funksionojnë këto qendra sociale, që t’i hapin edhe në qytetet e tjera”, tha ai.

Veliaj u shpreh se në këtë ditë të shenjtë apeli për të gjithë është: sa më shumë bashkëpunim e sa më pak përçarje. “Sot, secili prej nesh, mund të sakrifikojë disa gjëra: të kursejë një fjalë të keqe, një inat, një qejfmbetje, një mëri që mund të kemi me dikë tjetër. Unë besoj se sot është një apel për të qenë pak më të dashur me njëri-tjetrin, për më pak urrejtje, më shumë bashkëpunim dhe më pak përçarje, më shumë punë dhe më pak llafe”, shtoi ai.

Kryebashkiaku nënvizoi se Bashkia e Tiranës dhe mensat sociale të hapura prej saj në të gjithë qytetin janë shembulli më i mirë se kur vëmendja është te puna dhe jo tek fjalët, arrihen të bëhen gjëra shumë mira. “Në këtë qendër sociale kemi provuar se kur njerëzit punojnë dhe bëjnë më pak llafe, mund të bëjnë gjëra shumë të mira; kur njerëzit nuk merren me intriga e thashetheme, duke i vënë stërkëmbësha njëri-tjetrit, puna ecën më mirë. Unë e kam vënë re edhe në Tiranë: kur jemi të fokusuar te puna, pavarësisht se çfarë thonë, është puna ajo që pastaj flet për ty dhe nuk ka nevojë të merremi tërë ditën me ‘Më the, më tha, si na thanë, si e thanë, kujt ia thanë’”, deklaroi Veliaj.

Ai shprehu mirënjohjen për qindra familje që kanë ndihmuar ata që kanë pasur nevojë në këtë ditë të shenjtë, duke u shërbyer një vakt apo dhuruar pako me ushqime. “U jam mirënjohës qindra e mijëra familjeve në Tiranë që kanë ndihmuar komshiun e tyre. Bashkia ka shpërndarë paketa ushqimore, mish dhe gjithë të mirat, për njerëzit në nevojë, që edhe ata të kenë një drekë dinjitoze”, vijoi Veliaj, ndërsa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të tregohen më solidarë me njëri-tjetrin.

“Do të doja t’i bëja thirrje të gjithë atyre që i kanë mundësitë, që solidaritetin mos ta tregojnë vetëm në ditë feste, sepse nesër, pasnesër do të duhet të kemi drekë prapë. Për të gjithë ata që Perëndia, Zoti, Allahu iu ka dhënë pak më shumë se ç’kanë nevojë, pjesën e tepërt mundet që fare mirë ta ndajnë me një nevojtar, që të gjithë të kemi një Tiranë dhe një komunitet shumë herë më solidar se ai që kemi gjetur”, nënvizoi Veliaj, shkruan Top Channel.

SHPËRNDAJE