Feronikeli synon ta vazhdojë ëndrrën, sonte përballet me kampionin e Uellsit

Kampioni i Kosovës, Feronikeli, sonte do të përballet nga ora 20:00 me ekipin nga Uellsi, The New Saints, me ndeshjen e vlefshme për rrethin e parë kualifikues në Ligën e Kampionëve.

Feronikeli dhe TNS do luftojnë për të siguruar një vend në kuadër të rrethit të dytë kualifikues.

Ndeshja e parë do të zhvillohet në Uells, ndërsa ajo e kthimit luhet pas një jave në Prishtinë, shkruan lajmi.net.

Në rrethin para-kualifikues, skuadra nga Drenasi triumfoi në dy ndeshje, ndaj Lincoln Red Imps respektivisht Santa Colomas. Në anën tjetër, TNS është direkt e kualifikuar për rrethin e parë.

Ekipi që do të kualifikohet nga ky takim e pret përballja me gjigantin e Danimarkës, Kopenhagen në rrethin e dytë kualifikues.