Feniksi nis misionin e vështirë në Kazakistan

Trajneri Beni Simitçiu pranon se Feniksi është autsajder i grupit të raundit elitar të UEFA Futsal Cup, por shton se synimet e ekipit nga Drenasi janë të avancojë në pjesën finale të këtij turneu që do të mbledhë katër skuadrat më të mira të Evropës.

Feniksi të hënën mbrëma ka arritur në qytetin Almaty të Kazakistanit, ku do të zhvillohen ndeshjet e Grupit A, pjesë e të cilit janë edhe ekipet si Kairat Almaty (Kazakistan), Nikars Riga (Letoni) dhe Real Rieti (Itali), shkruan Koha Ditore.

Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në multiarenën që njihet me emrin “Almaty Arena” e që është hapur më 18 shtator të këtij viti dhe ka kushtuar rreth 150 milionë euro.

Duelet në kuadër të këtij grupi do të fillojnë të enjten (24 nëntor) dhe do të përfundojnë të dielën (27 nëntor).