Fatmir Limaj dhe të tjerët shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës në rastin e MTPT-së

ëvendëskryeministri dhe ish-ministri Fatmir Limaj dhe katër të akuzuarit e tjerë janë shpallur të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës në rastin e njohur si MTPT.

Të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ish-ministri i MTPT-së, Fatmir Limaj është shpallur i pafajshëm për krim të organizuar, keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe marrje e ryshfetit si dhe mos deklarimi i parave të pranuara për fushatë.

Për pikën 1 të aktakuzës, lidhur me krimin e organizuar, katër të akuzuarit Fatmir Limaj, Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku, janë liruar nga akuzat, pasi që trupi gjykues ka vlerësuar se veprimet e tyre nuk përbëjnë vepër penale.

Kurse, për pikën 2 të aktakuzës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, katër të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm, në mungesë të provave. “Nuk është provuar se Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi kanë shpërdorur detyrën zyrtare për dhënien e tenderëve për kompaninë “Tali” dhe “Interevropa”, ka deklaruar gjykatësja Marie Tuma, me rastin e shpalljes së aktgjykimit.

Për pikën e 3, marrje e ryshfetit, gjithashtu Limaj dhe të tjerët janë shpallur të pafajshëm, pasi nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer këtë vepër penale.

“Nuk është provuar se ndërmjet vitit 2007 deri 2012, Fatmir Limaj, Nexhat Krasniqi dhe Endrit Shala kanë pranuar kërkesa për përfitime në favor të dhënies së tenderit”, ka deklaruar gjykatësja Marie Tuma, me rastin e shpalljes së aktgjykimit.
Pika e 4 e aktakuzës kundër Florim Zukës për dhënie të ryshfetit është refuzuar, pasi që është parashkruar.

Edhe për pikën e 5, Florim Zuka gjithashtu, është liruar nga akuza për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Për pikën e 6, Fatmir Limaj për mos deklarim të parave të pranuara në fushatë, është liruar nga akuza, pasi që vepra është parashkruar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzën e konsoliduar më 28 shtator 2015, me anë të së cilës janë bashkuar dy aktakuza të mëparshme të rasteve MTPT 1 dhe MTPT 2.

Aktakuza e parë ishte ngritur me datë 05 dhjetor 2012, ndërkaq aktakuza e dytë më 19 shkurt 2014 dhe për të dyja janë mbajtur dy shqyrtime fillestare. Mirëpo me vendimin e 30 majit 2014 të kryetares së atëhershme të trupit gjykues këto dy raste janë bashkuar në një, duke ngritur një aktakuzë të cilën e kanë quajtur aktakuzë e konsoliduar.

Pas këtij vendimi, të dyja palët kishin dërguar ankesat e tyre dhe në bazë të ankesave Gjykata e Apelit më 23 dhjetor 2014 kishte vendosur që ai vendim nuk mund të ankimohet sepse është vendim i prerë.

Aktakuza e konsoliduar i ngarkon të akuzuarit Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi për veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti, Shpëtim Telakun për veprat penale krim i organizuar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të akuzuarin e fundit Florim Zukën për veprat penale dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike.

Përveç këtyre veprave penale, Fatmir Limaj akuzohet po ashtu edhe për veprën mos deklarim i parave për fushatë.