Familjarët e të pagjeturve nuk u besojnë premtimeve të asnjë partie politike

Ka 20 vjet që në dhomën e Albion Kumnovës nuk është ndryshuar asgjë.

Albioni, djali i vetëm i Muharrem e Nesrete Kumnovës, është një nga personat, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë tash e dy dekada nga përfundimi i luftës.

Zbardhjen e fatit të djalit të saj e të mbi 1,600 të tjerëve, e kërkon kryetarja e shoqatës “Thirrjet e nënave”, Nesrete Kumonva.

Derisa tregon për ditën kur për herë të fundit ka parë djalin e saj, Nesrete Kumnova thotë se institucionet nuk kanë bërë aq sa është dashur për personat e zhdukur.

Kumnova pohon se, përkundër premtimeve, askush nga liderët apo kandidatët për kryeministër nuk është takuar me të.

Megjithatë, kandidatët që synojnë postin e të parit të qeverisë, janë zotuar për zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve.

Madje, kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka deklaruar se do ta largonte taksën ndaj produkteve serbe në këmbim të të dhënave për personat e zhdukur.

Por, Nesrete Kumnova është skeptike se pas zgjedhjeve ata do të merren me këtë çështje.

Ndryshe, deri në ditën e zgjedhjeve të parakohshme kanë mbetur edhe tre ditë.