Familja Khashoggi hap dyert e shtëpisë për ngushëllimet

Në qytetin Xhidde të Arabisë Saudite, familja Khashoggi ka hapur dyert e shtëpisë për të pritur ngushëllimet për gazetarin saudit, Jamal Khashoggi, i cili u vra në konsullatën saudite në Stamboll, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, bëhet e ditur se Salah Khashoggi, djali i Jamal Khashoggit pret ngushëllimet në shtëpi për babain e tij.

Në regjistrime vërehet se në shtëpi kryhen vizitat për ngushëllimet, ndërsa nuk ka asnjë informacion nëse ka patur apo jo vizita nga zyrtarë të nivelit të lartë.

Djali Salah në një deklaratë të bërë më parë ishte shprehur se vizitat për ngushëllimet do t’i presë në shtëpinë e tij në qytetin Xhidde, nga dita e premte deri në ditën e diel.

Ditën e djeshme në xhaminë Nebevi në Medine, në xhaminë el-Mesxhid el-Haram në Mekë dhe në xhaminë Fatih në Stamboll u organizua namaz i xhenazes në mungesë për gazetarin e vrarë saudit Jamal Khashoggi.

Deklaratat e familjes Khashoggi për ngushëllime dhe faljen e namazi të xhenazes në mungesë u bënë pas konferencës për shtyp që zëdhënësi i kryeprokurorisë saudite Shelan esh-Shelan bëri në Rijad në lidhje me hetimin e vrasjes.

Ende nuk është gjetur trupi i gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, i cili u vra më 2 tetor nga një ekip i ardhur nga Arabia Saudite pasi ai kishte hyrë në konsullatën saudite në Stamboll.