Facebook gjobitet 645.000 dollarë për skandalin e Cambridge Analytica

Facebook është gjobitur me 645.000 dollarë nga mbikëqyrësi i mbrojtjes së të dhënave në Mbretërinë e Bashkuar për rolin e saj në skandalin e të dhënave të Cambridge Analytica.

Zyra e Komisionerit të Informacionit (ICO) tha se Facebook lejoi një “shkelje serioze” të ligjit.

Gjoba është maksimumi i lejuar sipas rregullave të vjetra të mbrojtjes së të dhënave që aplikoheshin përpara se rregullat e reja GDPR të hynin në fuqi në maj.

ICO tha se Facebook u kishte dhënë zhvilluesve të aplikacioneve qasje në të dhënat e njerëzve pa pëlqimin e tyre.

Në korrik, ICO njoftoi rrjetin social se do të kërkonte gjobën maksimale.

“Në mes të 2007 dhe 2014, Facebook përpunoi të dhënat e përdoruesve të rrjetit social në mënyrë të padrejtë, duke lejuar zhvilluesit e aplikacioneve që të kishin qasje në informacionet e tyre, pa pëlqimin dhe informimin e përdoruesve edhe nëse ata nuk e kishin shkarkuar aplikacionin por e kishin vetëm ‘miqtë’ e tyre,”-thuhej në deklaratë. “Facebook gjithashtu dështoi në sigurimin e të dhënave personale të përdoruesve sepse nuk arriti të bëjë kontrolle të përshtatshme për aplikacionet dhe zhvilluesit që përdorin platformën e saj.”

ICO po heton ende se si të dhënat e përdoruesve të Facebook janë përdorur për qëllime politike.