Ezani këndohet drejtpërsëdrejti në radion dhe televizionin shtetëror të Zelandës së Re

Në xhumanë e parë pas sulmit terrorist ndaj dy xhamive në qytetin Christchurch të Zelandës së Re, ku u vranë 50 besimtarë myslimanë dhe u plagosën 50 të tjerë, për të mbështetur besimtarët, ezani i xhumasë u transmetua drejtpërsëdrejti në Radion e Zelandës së Re (RNZ) dhe televizionin shtetëror të këtij vendi (TYNZ).

Në ceremoninë, që zuri vend në radion dhe kanalin televiziv të Zelandës së Re u transmetua drejtpërsëdrejti edhe ezani i xhumasë. Pas ezanit u mbajtën 2 minuta qëndrim nderi për viktimat e sulmit terrorist.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern e cila vlerësohet për deklaratat dhe masat e marra pas sulmit terrorist dhe qasjen e ngrohtë ndaj myslimanëve të prekur nga terrori, mori pjesë në namazin e xhumasë të falur në Hagley Park në Christchurch.

Fjalimin e saj para namazit, ajo e filloi me hadithin dhe tha “Profeti Muhamed thotë: “’Ata që besojnë me dhembshuri të ndërsjellë, mëshirë e simpati janë si një trup i vetëm. Nëse një pjesë e trupit ka dhimbje, këtë e ndjen i gjithë trupi’. Zelanda e Re është me ju. Ne jemi bashkë në Zi”.

Pas ezanit të kënduar nga imami i xhamisë Linwood, Alabi Lateef Zirullah, Imami i Xhamisë Alnoor, Gamal Fouda, që u ngjit për hytben, falënderoi Kryeministren Ardern dhe popullin e Zelandës së Re për mbështetjen e tyre.

Ai theksoi se terrori nuk ka ngjyrë, fe dhe racë, dhe shtoi: “Treguam se Zelanda e Re është e pamposhtur. Bota mund të shohë tek ne shembullin e dashurisë dhe unitetit. Kemi zemrën e thyer, por ne nuk jemi mposhtur”.

Në ceremonitë e zhvilluara në mbarë vendin, me thirrjen e kryeministres, shumë gra, duke u mbuluar me shami, mbështetën myslimanët.