Europa sot ka 1 mijë kilometra mure kufitare

9 nëntori shënon “Ditën Botërore të Lirisë” që përkujton rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989 dhe të komunizmit në Europën Lindore dhe Qendrore.

Por ky 29-vjetor i gjen vendet e Bashkimit Europian me mbi 1,000 kilometra mure kufitare. Sipas studimit të hartuar nga Instituti Transnational me seli në Amsterdam, kjo infrastrukturë u shërben politikave kundër emigracionit. Rezulton se deri në vitin 1990 ishin vetëm dy mure, por pas kësaj janë ndërtuar edhe 15 të tjerë.

Dhjetë nga 28 shtetet anëtare që shtrihen nga Spanja në Letoni kanë ndërtuar mure të tilla kufitare, sidomos pas shpërthimit të krizës së refugjatëve në vitin 2015.

Pavarësisht kremtimeve të këtij viti për rënien e Murit të Berlinit, Europa ka përfunduar tani gjatësinë ekuivalente të gjashtë mureve të Berlinit gjatë së njëjtës periudhë.

Dhjetëra mijëra njerëz kanë vdekur duke u përpjekur të emigrojnë në Europë. Në vitin 2017 u regjistruan gjithsej 3,915 viktima.

Kjo ditë u caktua nga presidenti amerikan George W. Bush, për të festuar ribashkimin e familjeve të ndara nga Perdja e Hekurt dhe njëherësh mbështet aspiratat e popujve për të jetuar në një shoqëri më të mirë e më të drejtë./Ora News

SHPËRNDAJE