Mbrëmjen e sotme, 3 ekipe shqiptare, Partizani, Laçi dhe Luftëtari do të zhvillojnë ndeshjet e tyre të kthimit të Europa League.
Në “Elbasan Arena”, skuadra e Luftëtarit do të luajë përballë letonezëve të Ventspilsit thjesht një ndeshje statistike. Humbja e turpshme 5-0 në takimin e parë nuk i jep thuajse asnjë shans skuadrës gjirokastrite për të kaluar për më tej në këtë debutim në kupat e Europës. Pas një paraqitjeje mjaft të mirë nën drejtimin e Hasan Likës në sezonin e shkuar, gjithçka në imazhin e saj u rrëzuan me një ndeshje të çuditshme nën drejtimin e trajnerit të ri Milosh Kostiç.
Ndërkohë në Laç, kurbinasit do të përpiqen të bëjnë diçka për të përmbysur humbjen 2-1 në ndeshjen e parë kundër Anorthosit. Në ndeshjen e parë në Qipro ishin pikërisht laçianët që kaluan të parët në avantazh me golin e Hoxhallarit, por gjithçka u përmbys në pjesën e dytë në shifrat 2-1, duke lënë ende shpresa për skuadrën e Laçit që të pretendojë për të kaluar në raundin e dytë kualifikues të kupës Europa League.