EULEX për Trepçën: Nuk ndërhyjmë në vendimet e Gjykatës Kushtetuese

Pas njoftimit se Gjykata Supreme ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese vlerësimin e Ligjit për Trepçën, pasi një gjyqtar ndërkombëtar pretendon se ai është antikushtetues, EULEX ka sqaruar kërkesën e këtij gjyqtari.

Përmes një përgjigje për Insajderin, zyrtarja për Informim në EULEX Besa Domi, tha se ky mision nuk ndërhynë në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por siç thotë ajo gjyqtari ndërkombëtarë ka kërkuar më shumë sqarime, deri sa të publikohet i plotë vendimi.

“Kjo kërkesë e këtij gjyqtari ka të bëjë me një rast të caktuar për të cilin pritet të nxirret vendimi gjyqësor në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, i cili i ishte deleguar gjyqtarit në fjalë”, tha Domi.

Sipas Domit, gjyqtari ndërkombëtar ka vepruar në kuadër të autorizimeve ligjore të tij të përcaktuara në Kushtetutë dhe se kërkesa e tij nuk ka lidhje me kërkesat e mëhershme të Listës Serbe për kushtetutshmërinë e Ligjit për Trepçën.

“EULEX-i thekson se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese, si autoriteti gjyqësor më i lartë për të vendosur lidhur me çështjet kushtetuese, është jashtëzakonisht e rëndësishme”, tha Domi për Insajderin.

Gjatë ditës Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme njoftoi se i është drejtuar Kushtetueses me një kërkesë pasi që një gjyqtarë i EULEX-it, duke mbrojtur kërkesat e paditësit të ndërmarrjes Trepça, ka arritur në përfundim se ligji është antikushtetues për dy arsye, që sipas tij janë të bazuara në të drejtën që e garanton pronën.

Ai pretendonte se ligji ka efektin e një shpronësimi pa kompensim në dëm të paditësit dhe se shpronësimi i pjesshëm kryhet në dobi të personave privat pa ndonjë arsyetim.

Menjëherë reagoi edhe Qeveria e Kosovës, duke thënë se ky ligj nuk mund të kontestohet për nga ana Kushtetuese nga ndonjë gjyqtar Dhomës së Posaçme.