Erdoğan: Zoti e mëshiroftë vëllaun dhe dëshmorin Morsi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka lëshuar një mesazh ngushëllimi për ish-presidentin e parë të Egjiptit të zgjedhur në rrugë demokratike, Mohamed Morsi, i cili ndërroi jetë gjatë një seance gjyqësore, duke theksuar “Zoti e mëshiroftë vëllaun tonë dhe dëshmorin Morsi”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas vdekjes, presidenti Erdoğan postoi një foto të Morsi-t në llogarinë e tij në twitter.

“Me keqardhje u informova për vdekjen e vëllaut tonë, Mohamed Morsi, i cili është presidenti i parë i Egjiptit i zgjedhur në rrugë demokratike. Zoti e mëshiroftë dëshmorin Morsi, i cili udhëhoqi një nga luftërat më të mëdha demokratike në histori”, shkroi Erdoğan.

Sot, 67-vjeçari Morsi humbi vetëdijen dhe ndërroi jetë në seancën gjyqësore ku ai përballej me një mori akuzash që kur u rrëzua dhe u burgos në grusht shtetin ushtarak në vitin 2013.

Ish-presidenti Morsi në vitin 2013 u largua nga detyra përmes një puçi ushtarak nga ministri i atërhershëm i Mbrojtjes dhe më pas president i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sisi.

Morsi u dënua me 48 vjet burgim gjithsej në katër nga gjykimet e hapura kundër tij, ndërkohë që vazhdonte procesi i gjykimit në dy raste të tjera për Morsin.