Erdoğan u bën thirrje vendeve të OBI-së ta ndihmojnë Shqipërinë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, u bëri thirrje vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI) ta ndihmojnë Shqipërinë pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

“Me këtë rast, kam një thirrje për ju. Siç e dini, javë më parë në Shqipëri ndodhi një tërmet me magnitudë 6,4 ballë, nga i cili jetën humbën 51 vëllezër tanë. U shprehim ngushëllime të gjitha familjeve, ndërsa qindra vëllezër shqiptarë u lënduan”, tha Erdoğan në Samitin e Ministrave të Punëve Sociale të OBI-së në Stamboll.

Erdoğan rikujtoi se dje nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është informuar mbi gjendjen pas tërmetit gjatë konferencës së investimeve të OBI-së që u mbajt në Stamboll.

“Ne jemi sikurse organet e një trupi. Ne, muslimanët, që jemi sikurse organet e një trupi, mendoj se duhet t’u japim aq sa mundemi mbështetje vëllezërve shqiptarë”, tha Erdoğan, duke rikujtuar se që nga çasti i parë i tërmetit, Turqia vazhdon të dërgojë ndihma për Shqipërinë.

“Po ashtu, ne u kemi dhënë edhe një premtim, 500 njësi banimi që do t’i ndërtojmë. Aktualisht, ekipet e Ministrisë së Urbanizmit dhe Mjedisit po punojnë me ministrinë përkatëse të Shqipërisë atje dhe së shpejti duam t’i ndërtojmë këto 500 njësi banimi në tri zona të ndryshme, duke pasur parasysh edhe ardhjen e stinës së dimrit”, shtoi presidenti turk.

“Unë ia kam caktuar vetes detyrë të informoj për këto mbështetje. Këto i presim edhe nga ju”, u shpreh Erdoğan.

Kujtojmë se tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, përveçse shkaktoi 51 persona të vdekur dhe qindra të plagosur, shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale. Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulturore, shkolla, objekte të institucioneve ndërsa vendi u godit në ditët e fundit edhe nga disa tërmete të tjera.