Erdoğan: Turqia e gatshme të ndihmojë në uljen e tensioneve Indi-Pakistan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se “Turqia është e gatshme të bëjë atë që është e nevojshme për të ndihmuar në uljen e tensioneve mes Indisë dhe Pakistanit”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Turqia është e gatshme të bëjë atë që është e nevojshme për të ndihmuar në uljen e tensioneve mes Indisë dhe Pakistanit. Përshkallëzimi i tensioneve midis Indisë dhe Pakistanit nuk ndihmon askënd”, tha Erdoğan gjatë një fjalimi të mbajtur drejtuar popullit në qytetin Trabzon të Turqisë.

Në lidhje me lirimin e pilotit indian, ai vuri theksin se “lirimi i pilotit indian nga vëllezërit tanë pakistanezë që e kapën peng është tregues i qëllimit të mirë dhe i përgëzueshëm”. “Urojmë që edhe miqtë tanë indianë t’i pëgjigjen këtij hapi të mirë në të njëjtën mënyrë. Dëshiroj të shpreh sërish se ne jemi të gatshëm të japim kontributet e mundshme. Shpresoj që me përpjekjet diplomatike të Turqisë të kapërcehet në kohën më të shkurtër ky problem”, u shpreh Erdoğan.

Piloti indian Abhinandan Varthaman iu dorëzua të premten autoriteteve indiane nga Pakistani në vendkalimin kufitar Wagah. Varthaman ishte në paraburgim në Pakistan pasi avioni i tij u rrëzua të mërkurën në zonën kufitare të rajonit të kontestuar të Kashmirit.

Një ditë më parë, kryeministri pakistanez, Imran Khan, kishte paralajmëruar lirimin e tj si një gjest të vullnetit të mirë.

Tensionet Indi-Pakistan

Tensionet e fundit mes Indisë dhe Pakistanit, filluan me sulmin me bombë të ndërmarrë më 14 shkurt ndaj autokolonës me forca paramilitare në pjesën e Kashmirit nën kontrollin e Indisë ku humbën jetën 44 persona. 

Qeveria e New Delhit akuzoi Pakistanin për mbështetje të terroristëve që kryen sulmin. Ndërsa Pakistani hodhi poshtë akuzat dhe dënoi sulmin. 

India më 26 shkurt njoftoi se ka ndërmarrë një sulm ajror ndaj objektivave terroriste të cilat ndodheshin në Vijën e Kontrollit të Kashmirit në anën e Pakistanit. 

Pakistani pas kësaj me arsyetimin e shkeljes së hapësirës së tij ajrore njoftoi rrëzimin e 2 avionëve luftarakë të Indisë. 

Derisa India deklaroi rrëzimin e një avioni luftarak të Pakistanit, qeveria e Islamabadit nuk e konfirmoi këtë. 

Qeveria dhe ushtria e Pakistanit theksuan se nuk dëshirojnë përshkallëzimin e tensioneve. 

Ndërsa kryeministri i Indisë, Narendra Modi, akuzoi Pakistanin se po përpiqet të destabilizojnë vendin e tij. 

Turqia, Bashkimi Evropian, Gjermania, Britania e Madhe, Kina dhe Rusia u bënë thirrje palëve për vetëpërmbajtje.