Erdogan pranon në rezidencë vogëlushen siriane Gözyaşı dhe familjen e saj

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan ka pritur në rezidencën presidenciale vogëlushen siriane Gözyaşı dhe familjen e saj.

Në takimin e realizuar në rezidencën presidenciale, krahas Gözyaşıs dhe motrës së saj Sidre, mori pjesë edhe i ati Mamun Halit Nasir.

Pas një bisede me presidentin Erdoğan dhe bashkëshorten e tij Emine Erdoğan, Gözyaşı dhe motra e saj pranuan dhurata të ndryshme nga çifti Erdoğan.

Tregimi i Gözyaşıs

Pasi i ati i saj kishte humbur dy këmbët, gishtat e dorës së djathtë dhe sytë si pasojë e një bombe fuçi të hedhur nga avionët e njësiteve të regjimit në Idlib të Sirisë, Gözyaşı kishte tërhequr vëmendjen e opinionit me fjalët: “Merrni sytë e mi dhe faljani babait tim! Le të shohë ai dhe le të më dojë!”

Gjatë takimit me presidentin turk, Gözyaşı u shpreh se kishte dëshiruar që të vinin së bashku me motrën Sidre, sepse, siç tha ajo, ata lozin së bashku.

Ndërkaq, i ati Nasir theksoi se ka edhe një djalë në moshën nëntëvjeçare me emrin Muhammed dhe shtoi se në shtëpinë e tyre nuk kanë asnjë problem dhe se kanë qasje të energjisë elektrike.

Duke treguar se Muhammed dhe Sidre shkojnë në shkollë fillore ndërsa Gözyaşı në institucion parashkollor, Nasir tha se Sidre mund të shkojë në shkollë vetëm për të mësuar gjuhën turke, pasi, siç tha ajo kujdeset për motrën dhe vëllanë.

Nga ana tjetër, presidenti Erdoğan, vogëlushes Gözyaşı, të ulur në prehrin e tij, ia tregoi fotografinë në Vjetarin e AA-së për vitin 2016, në të cilën gjendet ajo me babain e saj dhe e cila zuri vendin e parë në garën “Fotografitë e Vitit” nga AA në kategorinë “Jetesë”, e që është titulluar “Gjen përgjigje thirrja e Gözyaşıs për babain e saj”.

Ndryshe, në votimin për “Fotografitë e Vitit” nga AA, edhe presidenti Erdoğan në kategorinë “Jetesë” kishte votuar për fotografinë “Gjen përgjigje thirrja e Gözyaşıs për babain e saj”.

Gözyaşı, pasi kishte mësuar se presidenti Erdoğan ka votuar për fotografinë në të cilën gjendet ajo, emocionet i kishte shprehur me fjalët: “Xhaxhi Erdoğan paska parë fotografinë time me babain. U gëzuam shumë. Unë e dua shumë atë. Dashtë Zoti, unë dua shumë ta shoh atë. Ai mundësoi që ne të gjendemi në Turqi. Lus Zotin që një ditë ta shoh atë. E dua shumë atë. Zoti qoftë i kënaqur me të!”.