Erdoğan: Po ndërmarrim një nga një hapat të cilat do ta prishin këtë lojë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se do t’i pastrojnë të gjithë kufijtë nga terroristët. “Nuk do të lejojmë krijimin e foleve terroriste në kufijtë tanë”, tha ai, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan gjatë fjalimit të tij në një ceremoni në qytetin Karaman tha se “Ngjarjet që po ndodhin rreth shtetit tonë, asnjëra nuk është e pavarur nga tjetra. Masakra njerëzore dhe e civilizimit në Siri kanë qëllim të njëjtë me persekutimet e vazhdueshme në mënyrë të pandërprerë si dhe hapat provokative të ndërmarra në Kuds. Krizat në Irak, Jemen, rajonin e Gjirit, të gjitha janë pjesë të të njëjtit projekt”.

“Po ndërmarrim një nga një hapat të cilat do ta prishin këtë lojë”

“Kjo gjeografi e lashtë, brenda së cilës ndodhet edhe Turqia, është një skenar i cili po përpiqet të riregullohet nga disa forca. Edhe disa qeveri të ndryshme në rajon po i mbështesin këta. Organizatat terroriste janë mjetet më brutale, më të përgjakshme dhe më të pamoralshme të kësaj loje. Ne e pamë këtë lojë, e deshifruam. Nuk mbetëm vetëm me këtë, por po ndërmarrim një nga një hapat të cilat do ta prishin këtë lojë”, tha presidenti Erdoğan.

“Nuk do të lejojmë krijimin e foleve terroriste në kufijtë tanë”

“Do ta pastrojmë Afrinin nga terroristët. Munbixhin do ta pastojmë nga terroristët, Tel Abjad-in, Rasulajnin, Kamishlin, nga Shedinli e deri në malin Yayla. Të gjithë kufijtë do t’i pastrojmë nga terroristët. Nuk do të lejojmë krijimin e foleve terroriste në kufijtë tanë”, tha Erdoğan.