Erdogan për tërmetin: Thirrje botës islame që ta mbështesë Shqipërinë

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka bërë të ditur se pas lajmit të tërmetit ka biseduar dy herë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe është njoftuar se numri i të vdekurve nga tërmeti ka arritur në 26.

Ai e bëri këtë deklaratë gjatë fjalimit në mbledhjen e 35-të të Komitetit të Përhershëm për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtar (COMCEC) të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), përcjell Agjencia Anadolu.

“I urova të shkuara kryeministrit të Shqipërisë me rastin e tërmetit. Dërguam ekipet tona të kërkim-shpëtimit”, u shpreh Erdogan.

“Gjithë botës islame i bëj thirrje që ta mbështesë Shqipërinë”, shtoi ai.

“Mendoj se duhet të jemi pranë Shqipërisë në lidhje me ndërtesat e rrënuara, gjë e cila është veçanërisht detyrë e Organizatës Islame për Zhvillim. Besoj se është shumë e dobishme që të hedhim këtë hap. Kjo është një detyrë vëllazërie, ka dobi në hedhjen e këtij hapi”, theksoi presidenti turk.

Vendi dje u godit nga dy tërmete të fuqishme me epiqendër në Durrës në orën 3:55 me magnitudë prej 6,3 ballë në thellësi prej 10 kilometrash dhe më vonë me një magnitudë prej 5 ballë në Kepin e Rodonit.

Deri më tani bilanci i viktimave nga tërmeti është 31 persona, ndërkohë që shifra zyrtare e raportuar është 25 duke krijuar një diferencë në shifra për shkak se ka një mospërputhje për disa viktima të cilat ende nuk janë identifikuar.