Erdogan: Me lejen e Zotit, do të ndërtojmë aeroplanmbajtësen tonë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka thënë sot në Stamboll se Turqia nuk do të jetë toleruese ndaj qëndrimeve që kanë për qëllim të pengojnë ecurinë e Turqisë në industrinë e mbrojtjes, raporton Anadolu Agency (AA).

“Cilido që të jetë shkaku, Turqia nuk do të tolerojë qëndrime që kanë për qëllim ta pengojnë ecurinë e Turqisë në industrinë e mbrojtjes. Ata që kanë qëndrim të këtillë, do të ballafaqohen me ne. Të gjithë sipërmarrësit dhe firmat tona të sinqerta, punëtore dhe vendore dhe që punojnë për shtetin dhe popullin tonë dhe në të njëjtën kohë fitojnë edhe për vete, duhet ta dinë se kanë përkrahjen tonë”, tha Erdoğan në ceremoninë e uljes së korvetës turke Kınalıada në det në Tuzla të Stambollit.

Erdoğan e theksoi nevojën që në prodhime dhe realizimin e projekteve në sfera të ndryshme, të zgjidhen kompanitë dhe organizatat vendase.

“E them haptazi, nëse për 15 vite nuk do ta zbatonim këtë metodë, sot nuk do të mund ta zbatonim luftën kundër terrorizmit dhe operacionet jashtëkufitare për shkak të embargove ndaj vendit tonë”, potencoi Erdoğan.

Ai më tej shtoi se Turqia duhet përshpejtuar hapat si një vend që deri në vitin 2023 synon të eliminojë në tërësi varësinë e jashtme në industrinë e mbrojtes.

“Ndërtimi i luftanijeve dhe posaçërisht i nëndetësve janë suksese në industrinë e mbrojtjes që na bëjnë krenar. Vendi ynë tashmë është në mesin e dhjetë vendeve në botë që mund të projektojnë, ndërtojnë dhe mirëmbajnë luftanije në mënyrë vendase”, tha Erdogan.

“Me lejen e Zotit, do të ndërtojmë aeroplanmbajtësen tonë”

Ai u shpreh se Turqia do të vazhdojë projektet e rëndësishme për sigurinë e vendit dhe se aktualisht gjenden 14 projekte të përfunduara në sektorin privat dhe kantieret detare lidhur në sferën e luftanijeve, duke paralajmëruar edhe 10 projekte të tjera në vitet në vijim që presin të firmosen.

“Të gjitha këto projekte janë tregues i rëndësisë që ne ia japim zgjidhjeve që i kemi zhvilluar në fushën e detarisë kundër kërcënimeve në rajonin ku ndodhet vendi ynë. Me lejen e Zotit, ne do ta ndërtojmë edhe aeroplanmbajtësen tonë. Jemi të vendosur përë këtë dhe nuk kam asnjë shqetësim”, tha Erdogan.

Presidenti turk Erdoğan tha se industria e mbrojtjes turke vitin e kaluar ka arritur prodhimin rekord në vlerë prej pesë miliardë dollarësh dhe ka arritur eksporte në vlerë prej 1.6 miliard dollarë, por kjo, sipas tij, është tregues se kjo nuk është edhe më afër me objektivat e vendosura në këtë sektor.

“Republika e Turqisë është shpresë për popullin e tij dhe për të gjithë bashkatdhetarët, vëllezërit dhe miqtë. Rritja e aftësive tona të mbrojtjes në nivelin më të lartë të mundshëm është një nga kushtet që ne t’i justifikojmë këto shpresa”, potencoi presidenti Erdogan.