Erdoğan: Kudsi, nderi i 1,7 miliardë muslimanëve

STAMBOLL (AA) – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se kauza e Kudsit nuk është vetëm kuazë e muslimanëve në Palestinë, por kauzë e përbashkët dhe nderi i të gjithë muslimanëve, raporton Anadolu Agency (AA).

“Kudsi është nderi i të botës islame me 1,7 miliardë pjesëtarë. Nuk është vetëm kauzë e muslimanëve në Palestinë, por kauzë e përbashkët e të gjithë neve”, tha Erdoğan në fjalën e tij në Konferencën e Dytë të Platformës Ndërparlamentare për Kudsin në Stamboll.

Presidenti turk tha se Izraeli në 50 vitet e fundit përpiqet qëllimisht të fshijë gjurmët e trashëgimisë islame në Kuds.

“Nuk do të mund t’i fshini”, potencoi Erdoğan.

“Këtë qytet të shenjtë, prej ku i Dërguari i Allahut realizoi udhëtimin e Miraxhit, e duam pa bërë dallim me Stambollin, Kajron, Bagdadin, Meken dhe Medinen. Për këtë, ne themi se Kudsi është vija jonë e kuqe”, shtoi ai.

Erdoğan theksoi se disa vende evropiane radhiten krahas administratës amerikane dhe nuk nxjerrin zë ndaj politikave okupatore të Izraelit nga turpi i skenave që ndodhën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ai po ashtu tha se të kritikosh aktet e Izraelit asnjëherë nuk do të thotë antisemitizëm.

“Ashtu sikurse Holokausti që është krim jonjerëzor, edhe bombardimi i fëmijëve që lozin me top në Gaza është krim i nivelit të njëjtë ndaj njerëzimit”, u shpreh Erdoğan.

“Gënjeni veten nëse mendoni se mund ta shkatërroni identitetin shpirtëror të Kudsit duke zhvendosur atje disa ambasada dhe konsullata”, tha ndër të tjera Erdoğan.

Sipas tij, palestinezët duhet t’i japin fund mosmarrëveshjeve midis tyre për të parë rezultatin e përpjekjeve të miqve të tyre.

“U bëj thirrje vëllezërve të mi palestinezë: Jepini fund ndarjes mes jush”, porositi Erdoğan.

Presidenti Erdoğan deklaroi se muslimanët asnjëherë nuk do të jenë fitues të konflikteve rajonale që nxiten përmes ndarjes Shia-Suni.

“Ata që do të mbushin xhepat nga një tablo e këtillë sërish do të jenë firmat perëndimore të armëve dhe firmat e naftës”, presidenti i Turqisë, Erdoğan.