Erdogan: Europa na ka shumë borxh

Evropa i ka borxh Turqisë për strehimin e katër milionë refugjatëve, tha presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Nëse shtetet evropiane jetojnë në paqe sot, ajo është falë Turqisë për strehimin e katër milionë refugjatëve”, tha presidenti Erdoğan në Qendrën e Kongreseve në Stamboll, ku ai morri pjesë në një eveniment mbi inovacionet.

Turqia ka qenë rruga kryesore për refugjatët në përpjekje për të kaluar në Evropë, veçanërisht nga viti 2011, me fillimin e luftës civile në Siri.

Duke nënvizuar se Turqia nuk ka mundur të gjejë mbështetje të mjaftueshme në përpjekjet e saja për të rindërtuar sigurinë e Sirisë, Erdoğan tha se Turqia nuk do të lejojë të mbetet në Siri çfarëdo kërcënimi ndaj saj.

Ai theksoi se shteti i tij do të vazhdojë luftën derisa e gjithë Siria t’i dorëzohet “pronarit të vërtetë, popullit sirian”.

“Çdo veprim ekonomik dhe politik kundër pavarësisë së shtetit tonë është i destinuar të dështojë”, tha Erdoğan.

Siria është përfshirë nga një luftë e egër civile që nga viti 2011, kur regjimi i Bashar al-Assad-it ndërhyri me egërsi ndaj protestave pro-demokratike.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara (OKB), qindra mijëra civilë kanë humbur jetën dhe më shumë se 10 milionë të tjerë janë shpërngulur si pasojë e konfliktit.

SHPËRNDAJE