Epopeja e UÇK-së, tri ditë aktivitete në Prekaz

Hajriz Koci, drejtor i Kulturës në komunën e Skenderajt, ka dhënë detaje për përgatitjet që ka bërë komuna dhe qeveria në shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Jemi në vigjilje të kremtimit të Epopesë së UCK’së, ngjarje kulminante, themel i lirisë së Kosovës. Me këtë rast kryeministria ka paraparë një sërë aktivitetesh, pjesë e të cilave do të jemi edhe ne si komunë. Më 5 mars do të ketë një ceremoni në kazermën e Forcave të Sigurisë së Kosovës, më 6 mars do të mbahet një manifestim, ndërsa si gjithmonë, më 7 mars do të jetë Nata e Zjarreve. Do të ketë edhe një turne futbolli dhe shahu me këtë rast”, tha në Ora e Fundit në Klan Kosova.

Koci ka thënë se përgatitjet janë në finalizim, megjithëse kanë nisur me vonesë, duke theksuar se pritet fluks i qytetarëve edhe sivjet.

“Padyshim që përgatitjet janë bërë, megjithëse kanë filluar pak me vonesë. Shpresojmë që edhe moti të jetë i mirë dhe të na ndihmojë. Si edhe herëve tjera presim shumë pjesëmarrje, pasi njerëzit tanë e respektojnë sakrificën. Njerëzit me kalimin e viteve po e çmojnë më shumë sakrificën dhe vetëdija e të gjithëve po vjen duke u rritur”, tha ai.