Epidemia vdekjeprurëse, OBSH diskuton për shpalljen e emergjencës ndërkombëtare

OBSH-ja pritet të shqyrtojë mundësinë e shpalljes së një emergjence ndërkombëtare pas epidemisë vdekjeprurëse në Kinë që deri tani u ka marrë jetën të paktën 6 personave.

Autoritetet kineze kanë konfirmuar se një virus misterioz që ka vrarë të paktën 6 persona prej muajit dhjetor po përhapet tani nëpërmjet njeriut.

Një grup ekspertësh të cilët punuan në vitin 2003 edhe për evidentimin e rasteve me sindromin akut të frymëmarrjes, të ashtuquajtur SARS, kanë publikuar disa nga të dhënat e mbledhura rreth epidemisë.

“Ka tregues se epidemia e ka zanafillën në qytetin e Vuhanit. 95 për qind e pacientëve të diagnostikuar kanë qenë në qytet. Karakteristikë tjetër është transmetimi i sëmundjes nga njeriu te njeriu, dhe në këtë mënyrë virusi ka infektuar edhe 14 pjesëtarë të personelit shëndetësor,” deklaroi Zhong Nanshan, drejtuesi i komisionit të shëndetësisë në Kinë.

Numri i rasteve me virusin e panjohur është trefishuar në nivel kombëtar, duke prekur edhe shtetet fqinje, madje edhe Australinë e largët.

“Kushdo që kthehet nga Vuhani, një qytet qendror kinez me 11 milionë banorë, dhe shfaq simptoma të kollitjes, temperaturë, dhimbje të fytit, ne apelojmë doktorët e familjes dhe stafet e urgjencës të mbledhin mostrat që t’i testojmë për virusin,” thanë të martën autoritetet australiane.

Në qytetin lindor të Shangait, qytetarët janë të vetëdijshëm për kërcënimin e virusit, sidomos këto ditë kur qindra milionë banorë lëvizin nëpër rrugë për të festuar Vitin e Ri Hënor.

“Sigurisht që jam i shqetësuar. E bleva dje maskën sepse e di që do frekuentoj trenat. Koronaviruset përhapen nga kontakti me njeriun ose nga ajri. Ndaj kam gati maskat dhe i laj duart shpesh. Do tregohem i kujdesshëm në zonat publike,” shprehet një qytetar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë do të diskutojë të mërkurën a duhet shpallur gjendja e jashtëzakonshme ndërkombëtare për epideminë./Ora News