Emre Can: Nuk jam i lumtur te Juventusi

Reprezentuesi i Gjermanisë, Emre Can, ka dhënë sinjalet e para se mund të largohet nga Juventus.

Mesfushori që kaloi nga Liverpool tek Juventus, nuk po gjen hapësirat e tij të nevojshme, dhe kjo situatë duket se nuk po i pëlqen atij.

Can është shprehur se nuk është i lumtur me situatën aktuale tek Juventus, nën urdhrat e Sarri.

“Jam djalë ambicion, dhe dua të konkurroj në nivelet më të larta. Po mësoj nga kjo situatë e vështirë se nuk mund që gjithmonë të jetë ashtu siç pret ti. Nuk kam startuar asnjë ndeshje dhe nuk mund të jem i lumtur, por nuk dorëzohem” ka thënë Can, transmeton lajmi.net.

“Do të vazhdoj të punoj fort. Do të shkoj në palestër para dhe pas seancës stërvitore. Po bëjë sesione shtesë që të jem gati kur më jepet shansi” ka shtuar gjermani.

A mund të kthehet ai në Bundesliga? “Gjithçka mbetet e hapur” ishte përgjigja e Can.

Mbetet të shihet nëse në janar do të ketë ndonjë lëvizje të mesfushorit.

SHPËRNDAJE