Emigrantët në pritje të ndihmës në anijen e bllokuar spanjolle të shpëtimit

Sipas organizatës joqeveritare spanjolle “Proactiva Open Arms”, migrantët në bordin e anijes së shpëtimit që është bllokuar në brigjet e Mesdheut të Italisë ndodhen në një situatë të dëshpëruar, madje disa janë hedhur në ujë me shpresën për të arritur bregun me not, transmeton Anadolu Agency (AA).

Proactiva Open Arms, e cila kryen kërkime dhe shpëtime në det, në Twitter tha se tashmë kanë kaluar 19 ditë duke pritur për ndihmë.

“Natë paniku dhe një burrë në ujë. Nata filloi me evakuimin urgjent mjekësor dhe këtë mëngjes një burrë u hodh në ujë, duke u përpjekur të arrijë bregun para syve tanë”, tha organizata joqeveritare.

Ata që u hodhën në det u shpëtuan nga rojet bregdetare italiane.

Spanja ka hapur ishullin e saj Minorca për anije, megjithatë Proactiva Open Arms këmbëngul se anija nuk është në gjendje të arrijë atje.

Duke folur për gazetën italiane La Repubblica, themeluesi i organizatës joqeveritare, Oscar Camps, tha se situata e tyre nuk është e përshtatshme për të shkuar në ishujt e Spanjës.

Camps tha se ishulli Lampedusa, i cili është vetëm 800 metra larg, është i vetmi port i sigurt për ta.