Elon Musk heq kompanitë e tij nga Facebook

Pasi humbi miliarda dollarë në bursë nga shpërthimi i skandalit të “Cambridge Analytica”, Facebook po humbet edhe përdoruesit e tij.

Premtimi është premtim dhe Elon Musk e ka treguar më parë se është njeri që e mban fjalën. Këtë herë, bosi i Teslas dhe SpaceX u premtoi ndjekësve të tij në Twitter se do të fshinte çdo gjurmë të tij dhe të kompanive që zotëron nga rrjeti i Mark Zuckerberg, transmeton tch.

U tha, u bë! Faqet zyrtare me miliona ndjekës të Space X dhe Teslas në Facebook nuk ezkistojnë më.

Musk u bë pjesë e thirrjeve të Brian Acton, themeluesi i WhatsApp, që u kërkoi njerëzve që të fshijnë Facebook. Madje vetë pronari i SpaceX dhe Teslas tha se nuk ishte në dijeni se në rrjetin social më të madh të Mark Zuckerberg ekzistonin faqet zyrtare të dy kompanive të tij. Veç dy kompanive, Musk ka fshirë edhe një profil të verifikuar me emrin e tij, që nuk dihet nëse ishte i hapur prej tij, apo prej dikujt tjetër.

Raportet mes Elon Musk dhe Mark Zuckerberg dikur kanë qenë bashkëpunuese, deri kur në 2016, kur raketa e SpaceX shpërtheu në nisje bashkë me një satelit të Facebook, që duhej të furnizonte me internet Afrikën.