‘Elhamdulilah’ nga Liverpool-i

Shkruan: Faton Abdullahu

Po t’u drejtohej Shaqiri me postimin e tij tifozëve të vetë në shqip ‘Lavdi Zotit’ ose vetëm ‘Faleminderit’ sa tifozë të tij të Liverpoolit do ta kuptonin ? Pak. Shumë pak në krahasim me postimin që e ka bërë në arabisht me shkronja latine. Për shkak se ka thënë ‘Elhamdulillah’ është parë e perceptuar me admirim dhe është duartrokitur nga miliona e miliona njerëz e tifoz të përkatësisë islame anekënd botës. Kjo i duhet shumë Liverpoolit.

Futbollisti i njohur me prejardhje nga Kosova Xherdan Shaqiri është me fat që në një vend të krishterë si Britania mundet që në një postim të tij në Facebook duke qenë lojtar aktiv i një ekipi të atij vendi, në rastin konkret Liverpoolit, ta falënderojë Allahun në arabisht ‘Elhamdulillah’ dhe askush të mos ia zë për të madhe, bile as ta shoh me antipati. Nuk janë të paktë ata që mu në këtë vend e shohin me simpati dhe i duartrokasin kësaj mënyre të falënderimit Por arsyeja pse dhe si e bën këtë falënderim ky lojtar ( jo për herë të parë) dhe si krejt kjo komentohet dhe analizohet në Kosovë, janë dy gjëra të ndryshme jo kollaj të kuptueshme të cilat ja vlënë t’i analizojmë.

Ka edhe një kalkulim tjetër në krejt këtë. Një interes jo vetëm sportiv, as edhe vetëm fetar, por në rastin konkret është thjeshtë edhe interes personal i karierës. Në një farë mënyre i tillë është edhe për klubin futbollistik Liverpoolin. Për këtë, neve këtu në Kosovë mbase nuk na shkon fort mendja, aq më pak rinisë tonë e cila është më e ‘padalmja’ në Evropë e cila me të drejtë është dashamirëse entuziaste e Shaqirit.

Po t’ju drejtohej Shaqiri me postimin e tij tifozëve të vetë në shqip ‘Lavdi Zotit’ ose vetëm ‘Faleminderit’ sa veta (tifoz) të tij e të Liverpoolit do ta kuptonin? Pak. Shumë pak në krahasim me postimin që e ka bërë në arabisht me shkronja latine. Për shkak se ka thënë ‘Elhamdulillah’ është parë e perceptuar me admirim dhe është duartrokitur nga miliona e miliona njerëz e tifoz të përkatësisë islame anekënd botës. Vetëm në Britani dhe Evropë ka miliona tifozë të tij e të Liverpoolit që janë të përkatësisë islame e lëre më jashtë Evropës. Klubet e mëdha evropiane të futbollit janë shumë të interesuara të mos përceptohen gjithandej vetëm si të krishtera. Ato kanë interesa vitale të kenë shtrirje planetare edhe nga qytetrime tjera. Ato duan që loja e futbollit si prodhimi i tyre të përcillet dhe shitet gjithandej. Ata janë të vetëdijshëm se sa është e rëndësishme për një ekip ndërkombëtar të futbollit të ketë tifoz në çdo kënd të botës.

Tifozë vendesh të ndryshme, racash të ndryshme dhe gjithsesi edhe fesh të ndryshme. Xherdan Shaqiri është i vetëdijshëm për këtë, prandaj e kryen me zell këtë funksion me postimin e tij ‘‘Elhamdulillah’. Një i ri në një vend arabo-islam mund të ëndroj të bëhet si Shaqiri. Kur mund të bëhen yje lojtarët si M. Sallah dhe Xh. Shaqiri pse jo edhe ai. Po nuk e kuptuam këtë dimension ne në Kosovë, sidomos rinia jonë e pa dalur, mund të mos e gjykojmë drejtë Shaqirin dhe mund të nxjerrim përfundime koti dhe krejt të gabueshme për postimin e tij. Disa të ngazëllyer, duke menduar e komentuar me ‘ah pirolla i koft qyky oshtë hakikat mysliman edhe pse jashtë vatanit nuk e harron të lumin Allah’ apo disa të tjerë duke e parë me antipati e komentuar me akuzë se ‘ ky mistrec po na merr në qafë duke na prezantuar si vend mysliman e ka harru baba mi kallxu që mbi të gjitha shqiptari së pari duhet të prezantohet si shqiptarë’.

Për të kuptuar më shumë nga kjo, analizën mund ta shtrijmë atë edhe më. Ta zëmë do të ishte punë tjetër po të thoshtë Shaqiri në postimin e tij ‘Elhamdulillah’ deri sa do të luante për një ekip futbollistik të Rusisë apo të ndonjë vendi tjetër të krishterë jo demokratik. Ai dhe kushdo tjetër si ai, mund të pendohej për këtë. Mbase mund të pendohej edhe një i krishterë që në një vend arabo-islam jo demokratik do të postonte pas fitores një falënderim ta zëmë ‘Halleluja’ apo ‘Praise the Lord’. Nëse është kështu, kjo vërtetë tregon se sa larg është Evropa me demokracinë e saj mendjehapur dhe sa mirë bëjmë ne si Kosovë që i aspirojmë vlerat euro perëndimore dhe asgjë tjetër.

Prandaj thënë përmbledhtazi është mirë ta vlerësojmë Shaqirin për lojën e tij para se t’i thyejmë dhëmbët e të konstatojmë se ai na qenka mysliman i mirë apo shqiptar i keq. Kur e tjerë gjatë këtë punë i bije që ne të gjithë duhet të japim më shumë për djemtë dhe vajzat tona që luajnë dhe e prezantojnë në gara të ndryshme vendin tonë, Kosovën. Aty ku Elhamdulillah, Halleluja dhe Tungjatjeta gërshetohen më mirë se kudo tjetër në botë.