Ekspozita “AA Istanbul Photo Awards 2017” do të hapet në OKB

Më 16 tetor, në qendrën e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) do të ekspozohen fotografitë fituese të konkursit ndërkombëtar të fotografisë “Istanbul Photo Awards 2017”, që këtë vit u organizua për të tretën herë nga Anadolu Agency (AA).

Fotografitë e çmimeve fituese do të ekspozohen për artdashësit në ekspozitën e cila këtë vit mbahet për të dytën herë në qendrën e përgjithshme të OKB-së dhe vizitorët do të gjejnë një përmbledhje vizuale të ngjarjeve që sjellin zë në opinionin publik botëror.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës e cila zhvillohet nën organizimin e Kryeredaktorit dhe zëvendës drejtorit të përgjithshëm të AA-së, Metin Mutanoğlu dhe Zëvendëskryetarit të Bordit Drejtues Dr. Şaban Kızıldağ do të marrin pjesë përfaqësuesi i Përhershëm i Turqisë në OKB, Feridun Sinirlioğlu, konsulli i përgjithshëm në New York, Ertan Yalçın, anëtarë të institucioneve mediatike kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të komunitetit turk.

Ndërkohë theksohet se Turkish Airlines dhe TIKA janë sponsorët zyrtarë të konkursit të fotografisë ku janë dhënë çmime të ndryshme për 22 fotografë nga 17 vende.

Foto mbresëlënëse nga e gjithë bota

Fotoja e vitit në konkursin “Istanbul Photo Awards” këtë vit u zgjodh fotografia “Ikja nga DEASH-i”, e shkrepur nga fotoreporteri francez Federico Lafarge për Paris Match.

Ndërkaq, Aris Messins zuri vendin e parë në kategorinë e “lajmeve seri” me fotografitë e titulluar “Vdekja në Mesdhe”, të shkrepur për Agjencinë France Press (AFP) dhe fotografia “Nën sipërfaqe” e Adam Pretty, e shkrepur për Getty Images u zgjodh si më e mira në kategorinë “sportive teke”, kurse seria e fotografive nga Patrick Smith, gjithashtu për “Getty Images”, u përzgjodh më e mira në kategorinë e” fotografive seri në sport”.

Mary Gelman gjithashtu fitoi vendin e parë në kategorinë “portret në seri” me temë gratë viktima. Kemal Jufri u përzgjodh më i miri në kategorinë e “fotografive serike për natyrën dhe mjedisin” me fotografitë e titulluara “Ushqyerja e orangutangëve jetimë”, ndërsa fotografia “Fusha e golfit Papwa Sewgolum” nga Johnny Miller, e shkrepur në seri për Millefoto, u përzgjidh fotografia më e mirë në kategorinë e “fotografive teke për natyrën dhe mjedisin”.

Juria i dha çmimin “Fotoreporteri i Ri” më i mirë me fotografinë “Stërvitja e rrugës në Gaza” fotoreporterit të pavarur nga Gaza Hosam Salem.

Afërsisht 25 mijë fotografi nga e gjithë bota ishin pjesë e aplikimit për garën./Mesazhi/