Eksporti i Serbisë në Kosovë 450 milionë euro

Përveç taksës në miellin e Serbisë që hyn në Kosovë në korrikun e vitit 2016, sipas përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Serbisë dhe të zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë së Serbisë, Kosova ka vënë taksë edhe në materialin ndërtimor që hyn në Kosovë nga Serbia.

Kjo masë ishte ndërmarrë për shkak të çmimit më të ulët të shitjes së materialit ndërtimor blerësve në Kosovë sesa të atyre në Serbi.

Kjo masë, sipas prodhuesve të materialit ndërtimor të jugut të Serbisë i ka goditur fabrikat që prodhojnë material ndërtimor, të cilat, siç thonë ata kanë zvogëluar eksportin për një të tretën.

Për këtë masë të Prishtinës, siç raportojnë mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës, do të bisedohet në Beograd në një takim të Sekretariatit të CEFTA-s, në të cilin Prishtina do ta marrë kryesimin nga Beogradi në këtë organizatë.

Siç precizohet në një njoftim të Grupit të Prodhuesve të Materialit Ndërtimor të Serbisë, fabrika “Mladost” në Topliçka Mala Plana me dekada ka plasuar 80 për qind të prodhimit të vet në tregun e Kosovës. Kjo pjesëmarrje tani ka zbritur në 50 për qind, shkruan “Zëri”.

“Kjo taksë prej 2 centësh për një bllok ndërtimi për një kamion me blloqe bën 80 euro, gjë që ngrit çmimin në Kosovë për rreth 12 për qind. Nëpër depo janë krijuar stoqe të mëdha dhe ato janë pasojë edhe e kësaj takse, gjë që pamundëson shitjen dhe për këtë arsye ka ardhur në pyetje edhe funksionimi i fabrikës dhe ajo mund të mbyllet”, ka thënë drejtori i fabrikës së materialit ndërtimor “Mladost”, Millosh Dushiq. /