Egjiptianët votojnë për ndryshimet kushtetuese

Votuesit egjiptianë sot në referendum nisën të hedhin votën mbi ndryshimet kushtetuese që mund të lejojnë presidentin e tanishëm Abdel-Fattah al-Sisi të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2030, raporton Anadolu Agency (AA).

Pamjet e transmetuara nga televizioni egjiptian treguan se al-Sisi ka votuar në lindje të kryeqytetit Kajro mbi ndryshimet që gjithashtu thellojnë rolin e ushtrisë egjiptiane në jetën politike.

Al-Sisi në një intervistë në vitin 2017 tha se nuk ka ndërmend të ndryshonte kushtetutën dhe nuk do të kandidonte për një mandat të tretë.

Kanali zyrtar gjithashtu konfirmoi fillimin e votimit në të gjithë vendin.

Rreth 61 milionë egjiptianë kanë të drejtë të votojnë për tri ditë në thuajse 10878 qendra zgjedhore.

Emigrantët egjiptianë të premten filluan votimin në referendum.

Herët këtë javë, parlamenti i Egjiptit miratoi një amendament të propozuar kushtetues, duke zgjatur kohëzgjatjen e mandateve presidenciale nga katër në gjashtë vjet.

Gjithashtu do të lejojë që al-Sisi përfundimisht të kandidojë për një mandat të tretë në detyrë.

Kushtetuta e tanishme e Egjiptit, e ratifikuar në vitin 2014, i lejon presidentit të mbajë detyrën për një mandat maksimal prej dy mandateve katërvjeçare.

Ndryshimet kushtetuese, megjithatë, nënkuptojnë se mandati i dytë i al-Sisit në detyrë, të cilin e siguroi në zgjedhjet e vitit të kaluar do të përfundojë në vitin 2024, pas së cilës ai do të lejohet të kandidohet për një mandat të tretë gjashtëvjeçar që përfundon në vitin 2030.