Egjipti vlon nga protestat anti-qeveritare: “ngrihu, mos ki frikë, Sisi duhet të ikë”!

Mijëra protestues kanë dalë në rrugë nëpër disa qytete në Egjipt, në një demostratë kundër Presidentit Abdel Fattah el-Sisi.

Duke u mbledhur në Sheshin Tahrir të Kajros, demonstruesit thirrën parulla të tilla si “njerëzit kërkojnë rrëzimin e regjimit” dhe “Sisi ik”, duke bërë jehonë me thirrjet që rrëzuan edhe autokratin, Hosni Mubarak.

Në Aleksandri, qindra marshuan në drejtim të detit, duke brohoritur “ngrihu, mos ki frikë, Sisi duhet të ikë”, ndërsa në qytetin port të Damietta-s, protestuesit rrëzuan një poster të madh të presidentit, i cili ka burgosur mijëra kundërshtarë dhe ndaluar protestat.

Protestat ndodhën ndërsa el-Sisi ishte në  Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (UNGA).

Cfarë ndodhi?

Protestat u raportuan në të paktën tetë qytete, me turma të mëdha që u mblodhën në Kajro, Aleksandri dhe Suez.

Videot dhe fotot e protestave u ndanë në mediat sociale.

Protestat e paautorizuara nuk lejohen në Egjipt dhe policia u aktivizua me shpejtësi, duke gjuajtur gaz lotsjellës ndaj protestuesve në Sheshin Tahrir të Kajros. Të paktën katër persona u arrestuan në kryeqytet, ndërsa një gazetar u arrestua në qytetin Mahalla, sipas Komisionit Egjiptian për të Drejtat e Njeriut.

Nuk u raportua për viktima.

Al Jazeera është e ndaluar të raportojë nga Egjipti.

Kush ndezi protestat?

Protestuesit iu përgjigjën një thirrje të biznesmenit në mërgim Mohamed Ali, i cili u bëri thirrje egjiptianëve të dilnin në rrugë pas një ndeshje shumë të pritur futbolli midis klubeve Al Ahly dhe Zamalek në Kajro.

Në një seri videosh të postuara në Facebook dhe Twitter, Ali, i cili tha se ka punuar si kontraktues ndërtimi për ushtrinë për 15 vjet, ka akuzuar el-Sisi dhe ndihmësit e tij për prishjen e fondeve publike në projekte koti, pavarësisht rritjes së varfërisë.

“Sisi ka zhvilluar korrupsionin në një nivel të ri. Unë ndërtova pesë vila për ndihmësit e Sisit dhe një pallat për presidentin në një kamp ushtarak në Kajro”, tha ai nga Spanja, ku aktualisht është në mërgim të vetë-imponuar.

El-Sisi mohoi akuzat duke i konsideruar si “shpifje”. Duke folur në një konferencë rinore, ai tha se “ishte i sinqertë dhe besnik” për Egjiptin dhe ushtrinë.

“Mohamed Ali është ndoshta njeriu më i popullarizuar në Egjipt tani,” tha Mohamad Elmasry, kryetar i programit për media dhe gazetar në Institutin e Dohas për Studime Diplomike, duke përmendur miliona njerëz që kanë shikuar videot e tij në internet dhe kanë përdorur  Hashtag Anti-Sisi.

El-Sisi mori pushtetin pas një grushti shteti ushtarak që rrëzoi Presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike Mohamed Morsi në 2013 pas disa javë protestash. Ai u zgjodh vitin e ardhshëm me 97 përqind të votave dhe u rizgjodh me një votim për vitin 2018 në të cilin kandidati i vetëm tjetër ishte një përkrahës i tij.

Analistët thonë se popullariteti i udhëheqësit 64-vjeçar është dobësuar vitet e fundit për shkak të masave shtrënguese dhe rritjes së niveleve të varfërisë.

Statistikat zyrtare të lëshuara në korrik tregojnë se 33 përqind e Egjiptianëve jetonin në varfëri, nga 28 përqind në 2015 dhe 17 përqind në 2000. Vlerësimet e tjera e bëjnë këtë shifër më të lartë. /Mesazhi.com/