Egjipt, gjykata vendos lirimin e gazetarit të Al Jazeera

Një gjykatë egjiptiane ka vendosur lirimin e gazetarit të Al Jazeera, Mahmoud Hussein, pas një periudhe prej dy vite e gjysmë në paraburgim, raporton Anadolu Agency (AA).

Zahra, vajza e gazetarit Hussein, në llogaritë e saj në rrjetet sociale shkroi: “Babai im është liruar. Faleminderit Allahut”. Ajo nuk dha detaje të tjera.

Tahir Abu al-Naisr, anëtar i ekipit mbrojtës të Hussein, për AA tha se Gjykata Penale e Kajros kishte refuzuar një ankesë të paraqitur nga prokurorët kundër lirimit të klientit të tij.

Bazuar në kushtet e lirimit të tij, Hussein megjithatë duhet të vizitojë një stacion lokal të policisë në intervale të rregullta.

Hussein u arrestua nga autoritetet egjiptiane në fund të vitit 2016, pasi u kthye në shtëpi në Egjipt nga Katari.

Autoritetet e akuzuan se “i përkiste një grupi të jashtëligjshëm” dhe “përhapjes së lajmeve të rreme që synonin destabilizimin e vendit”.

Al Jazeera u ndalua zyrtarisht në Egjipt pas një grusht shteti ushtarak të vitit 2013 kundër Mohamed Morsit, presidentit të parë demokratik të vendit.