Edi Rama shkarkon ministrin Ylli Manjani

Përmes një njoftimi të zyrës së shtypit informohet se Kryeministri Edi Rama ka firmosur sot lirimin nga detyra të Ministrit të Drejtësisë Z. Ylli Manjani dhe emërimin në këtë detyrë të Z. Petrit Vasili.

Shkresa i është dërguar dhe presidentit të Republikës Bujar Nishani.

Kryeministri Edi Rama ka firmosur lirimin nga detyra të ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani dhe emërimin në këtë detyrë të zotit Petrit Vasili.

Shkresa e shkarkimit të tij erdhi vetëm dy orë nga takimi që kryeministri Rama pati sot me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta në kryesinë e kuvendit, dhe më pas tre ministrat e LSI-së, Ylli Manjani, Klajda Gjosha dhe Sokol Dervishi u panë të hynë e dalin në kryesi.

Manjani u emërua pas dorëheqjes së ministrit të LSI-së Nasip Naço më 9 nëntor 2015.

“Ka emra të tjerë që lakohen për tu larguar por kjo mbetet për tu parë” informon gazetari i Ora News Sonil Frashëri sot në orën 12:12 gjatë një raportimi nga kryesia e Kuvendit.

Manjani ka qenë ndër të parët ministra dhe eksponentë të LSI­së, që kanë kritikuar ashpër Policinë e Shtetit në lidhje me luftën ndaj kanabisit dhe po ashtu në kapjen e Klement Balilit.

Ministri i Mjedisit Lefter Koka deklaroi pak ditë më parë në një intervistë për Ora News se LSI i ka të gjithë kapacitet për të dalë e vetme në zgjedhje. Koka kritikoi dhe punën e policisë dhe deklaroi se LSI nuk duhet të mbajë kosto të cilat nuk ka pse ti mbajë.