Edhe Shqipëria si Kosova, borë dhe ngricë

Ditën e sotme, i gjithë vendi është pushtuar nga temperaturat nën zero gradë celsius, ndërsa mjaft qarqe ndodhen të mbuluara nga bora. Por bëhet e ditur se më problematike situata paraqitet në disa zona të Pukës, Fushë-Arrëz dhe Dibër.

Nga të dhënat paraprake për ditën e sotme, njoftohet se për shkak të motit të keq me ngrica dhe temperaturat që shkojnë deri në -17 gradë C, ka probleme me qarkullimin në Pukë.

Bëhet e ditur se akset rrugore Fushë-Arrëz – Kukës dhe Qafë Mali – Fierzë janë të bllokuara. Gjithashtu mësohet se të gjithë fshatrat në Pukë dhe Fushë-Arrëz janë të bllokuara.

Ndërsa njoftohet se në disa fshatra është ndërprerë furnizimi me ujë e energji. Në Fushë-Arrëz është e nevojshme ndërhyrja por bashkia e këtij qyteti nuk ka mjete.

Ndërkaq në Bulqizë-Peshkopi temperaturat shkojnë deri në -16 gradë celsius. Në qarkun e Dibrës disa njësi administrative janë të bllokuara si Lura, Kalaja e Dodës, Selishta. Aksi Milot-Peshkopi është i kalueshëm vetëm me zinxhirë.

Ndërsa nnë Kukës, të gjitha akset janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Bëhet e ditur se në aksin Kukës-Krumë për shkak të akullit, lëvizja është e mundur vetëm me zinxhirë.

Po kështu edhe në Korçë, të gjitha akset të kalueshme vetëm me zinxhirë. Në Qafë Thanë dhe Kapshticë, e kalueshme pa zinxhirë.