Edhe një ftesë nga Specialja në Kosovë, avokatët tregojnë çfarë do të ndodhë në vijim

Specialja dërgoi edhe një ftesë në Kosovë. Sot nga Gjykata Speciale është ftuar edhe Ismet Tara, komandanti i Brigadës 124 të Rahovecit, i njohur si Komandant Hoxha. Tara është ftuar në cilësinë e të akuzuarit nga Gjykata Speciale për intervistë me 17 shkurt, pikërisht në ditën e pavarësisë së Kosovës. Ftesa Tarës i ka ardhur më 20 dhjetor dhe intervistimi i tij do të kryhet në Hagë. Mirëpo a është rritur doza e ftesave të dërguara tani, lajmi.net ka kontaktuar avokatin Tomë Gashi, i cili është i akredituar nga Gjykata Speciale. Ai ka thënë se nuk e njeh Ismet Tarën dhe nuk mund ta konfirmoj ftesën për të. “Nuk mund ta konfirmoj ftesën e tij, sepse nuk e njoh. Gjykata Speciale ka filluar nga data 15 janar i këtij viti, mirëpo nuk ka një përfundim, këto janë çështje të strategjisë së ekipit të prokurorëve”, tha Gashi për lajmi.net. Sipas tij Gjykata Speciale asnjëherë nuk ka ndërprerë ftesat dhe derisa kjo gjykatë të jetë aktive, çdokush mund të ftohet në çfarëdo cilësie. Gashi ka shtuar gjithashtu se është herët të flitet për valën e thirrjeve të Speciales pasi nuk dihet për strukturën e akuzave. “Tashmë është herët të flitet për valën e thirrjeve sepse nuk e dimë strukturën e akuzave dhe ende nuk dihet kush do të jetë dëshmitar e kush i dyshimtë. Dhe personat që janë të dyshimtë, lehtë në të ardhmen mund të jenë të akuzuar”, ka vazhduar Gashi. E sa i përket thirrjeve, Gashi ka potencuar se Zyra e Prokurorit Special në Hagë ka kryer një mori hetimesh dhe kjo mund të ndikoj tek numri i të ftuarve. “Është normale sepse Zyra e Prokurorit Special në Hagë deri tani ka kryer një mori veprimesh hetimore dhe ndoshta kjo është faza që të ftuarit japin sqarime të caktuara dhe pastaj prokurori vendos a do t’i akuzoj apo jo”, tha në fund Gashi. E avokati tjetër i akredituar nga Gjykata Speciale, Tahir Rrecaj është shprehur se nuk ka ndonjë informacion në lidhje me ftesën e ‘Komandant Hoxhës’, e as nëse është rritur numri i të ftuarve. Gjykata Speciale ka filluar punën me 15 janar dhe deri tani janë ftuar një numër i konsiderueshëm i ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ndër ta edhe Rrustem Mustafa – Remi dhe Sami Lushtaku. Pak ditë më parë u intervistua nga prokuroria speciale edhe Sabahajdin Cena. Dy ditë me radhë është intervistuar ish-komandanti i zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, ndërsa sot ka përfunduar edhe intervistimi i Sami Lushtakut, ish-komandant i zonës së Drenicës, i cili zgjati pesë orë