Edhe Luis Figo i bashkohet thirrjeve për ta ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit vdekjeprurës

UEFA bën një thirrje të hapur për të mbështetur Shqipërinë në këtë moment të vështirë që po kalon vendi ynë pas tërmetit apokaliptik që mori jetën e 51 personave.

Dy ditë më parë, gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e hedhjes së shortit për Evropianin 2020, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, takoi kreun e UEFA-s, Aleksandër Ceferin, për të kërkuar ndihma për zonat e prekura nga tërmeti.

UEFA është vënë menjëherë në lëvizje dhe si hap i parë ka qenë një mesazh i përcjellë përmes faqeve zyrtare të saj në rrjetet sociale. “Jashtë futbollit, një mesazh i rëndësishëm nga Shqipëria si pasojë e ngjarjeve tragjike të kësaj jave. Të dashur miq dhe partnerë, ne ju ftojmë të ndihmoni Shqipërinë në këtë moment të vështirë”, shkruante UEFA.

Më vonë, edhe legjenda e futbollit portugez, ish-lojtari i Real Madridit dhe Barcelonës, Luis Figo, postoi në faqen e tij zyrtare mesazhin e UEFA-s, si dhe rrugën që duhet ndjekur nga kushdo që ka dëshirë të ndihmojë Shqipërinë në këtë moment të vështirë. Kërkesa për solidaritet ka marrë një mbështetje të gjerë nga shumë klube në Greqi dhe Itali, ndërsa thirrja e UEFA-s, me siguri do të ketë një impakt të madh.

Ky mesazh natyrisht që do t’i shkojë një audience shumë më të gjerë. Tifozët – Grupimi i ultrasve të Kombëtares, “Tifozët Kuq e Zi”, prej ditësh është pranë zonave që janë prekur nga tërmeti, duke ndihmuar njerëzit në nevojë me ushqime dhe veshmbathje.

Mbledhja e ndihmave vazhdon dhe është vetë grupimi që me një postim në faqen zyrtare, tregon për atë që po bën.

“Këto ditë kemi qenë 24 orë aktivë në grumbullimin dhe shpërndarjen në terren të ndihmave materiale pranë të dëmtuarve, shpesh në bashkëpunim me organizatat dhe institucionet vendore”.

SHPËRNDAJE