Edhe BE e përsërit qëndrimin për taksën: Vetëm me heqjen e saj dialogu mund të zhbllokohet

Taksa 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe ka bllokuar dialogun Kosovë-Serbi. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se dialogu Kosovë-Serbi nuk do të mund të vazhdojë deri në heqjen e taksës nga institucionet kosovare.Nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj po e përsërit vazhdimisht se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia të marr vendim për ta njohur pavarësinë e Kosovës.As Bashkimi Evropian i cili është ndërmjetësues i këtij dialogu nuk po mund ta zhbllokojë këtë proces, shkruan lajmi.net. Të njëjtët me ngulm po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të marrë vendim për ta hequr taksën.Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiç në një përgjigje për lajmi.net ka përsëritur deklaratat e përfaqësues së Jashtme, Federica Mogherini e cila së fundmi është takuar me të dyja palët. “Përfaqësuesja Lartë, Federica Mogherini foli me të dyja palët më 1 shkurt dhe 6 shkurt për rrugën përpara në Dialogun e lehtësuar nga BE. Siç tha ajo: një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe e detyrueshme për normalizimin e të gjitha çështjeve të hapura është urgjente dhe vendimtare për Serbinë dhe Kosovën që të përparojnë drejt BE-së, si dhe për stabilitetin dhe paqen në rajon”, ka thënë ajo.Mogherini ka porositur që tarifat të hiqen pasi kjo është vetmja mundësi që bisedimet të rifillojnë.Presion për largimin e taksës, Qeverisë së Kosovës po i bëjnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbrëmë krerët e Shtetit kanë marrë një letër nga zëvendësasistenti i Sekretarit të Shtetit Amerikan, Mattheë Palmer, i cili u ka treguar se taksa ndaj produkteve serbe dhe boshnjake serbe, i ka prishur raportet me Amerikën.Në këtë letër e cila është e dyta që vjen nga Amerika për çështjen e njëjtë, u tha se SHBA-të do të stopojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë, si kundërpërgjigje ndaj qëndrimeve për taksën. Mirëpo, Haradinaj edhe pas kësaj letre nuk është zmbrapsur nga vendimi i tij, ndërsa presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar që taksa të hiqet ose të pezullohet.