E zgjedhura e muajit të zgjedhur: Çfarë përfaqëson Nata e Kadrit

Nga bujaria e Zotit është se nëse shikon se ndonjëri nga ne ka një anë të mirë, e zgjedh dhe e afron pranë vetes. Ai nga të gjitha krijesat ka zgjedhur njeriun dhe e ka dalluar me mendje. Nga të gjithë njerëzit, ka zgjedhur muslimanët, të cilët e adhurojnë. Nga të gjithë muslimanët, ka zgjedhur profetët dhe prej profetëve ka zgjedhur katër prej tyre si profetët më të vendosur, të cilët janë Nuhun,Musanë, Ibrahimin, Isanë dhe profetin Muhamed a.s.  Prej këtyre ka zgjedhur profetin Muhamed a.s.

Nga të gjithë umetet, Zoti zgjodhi umetin e Muhamedit a.s, dhe nga umeti i Muhamedit zgjodhi shehidët të cilët japin jetën në rrugë të Zotit.

Nga ata që lexojnë dhe studiojnë, Zoti zgjodhi lexuesit dhe studiuesit e Kuranit.

Nga melekët zgjodhi Xhibrilin dhe e quajti shpirti i shenjtë.

Nga të gjitha vendet, zgjodhi Meken dhe nga Meka zgjodhi Qaben, me të cilën na janë lidhur zemrat.

Nga të gjithë muajt, Zoti ka zgjedhur muajin e Ramazanit. Nga ditët ka zgjedhur dhjetë ditët e fundit të ramazanit. Kurse nga netët ka zgjedhur natën e Kadrit.

Nga të gjithë njerëzit, Zoti ka zgjedhur disa prej tyre, të cilët e adhurojnë atë në këtë natë.

Të zgjodhi ty o vëlla nga miliona njerëz dhe të bëri musliman nga umeti i Muhamedit a.s. Nga të gjithë muslimanët, të ka zgjedhur ty, që të agjërosh ramazanin dhe të falesh në xhami. Të ka zgjedhur ty që të falesh natën e kadrit dhe të arrish shpërblimin e kësaj nate.

Për të kuptuar me mirë se çfarë përfaqëson Nata e Kadrit, le të përmendim historinë e saj, duke filluar me takimin e parë mes Xhibrilit dhe Profetit (a.s.). Ai para shpalljes së Kur’anit, veçohej në shpellën Hira, në Mekë, ku adhuronte ZOTIN. Në njërën nga këto netë i shfaqet Xhibrili në formën e tij reale. Këtë ndodhi na e tregon Profeti (a.s.), duke thënë: “E pashë Xhibrilin që kishte zënë horizontin dhe në çdo cep që shikoja, shihja atë.  Më pas më kapi dhe më shtrëngoi aq fort, saqë kujtova se po më del shpirti Pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo!” Nuk di të lexoj – i thashë. Ai më kapi përsëri dhe më tha: “Lexo!” Unë përsëri i thashë: Nuk di të lexoj. Më shtrengoi për të tretën herë dhe më tha përsëri: “Lexo!” Këtë herë i thashë: ç’farë të lexoj? Ai më tha:

“Lexo në emrin e Zotit tënd, i cili krijoi. Krijoi njeriun nga një gjak  i ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo, se Zoti yt është më bujari. Ai që i mësoi (njeriut) të shkruajë me pendë. I mësoi njeriut atë që nuk e dinte”. (Alak 1-5)

Shikojeni se si filloi shpallja e Kur’anit, jo me të butë. Edhe Xhibrili, kur iu shfaq për herë të parë profetit, nuk iu shfaq në formë njeriu, por në formën e tij origjinale, sepse ZOTI deshi t’i tregojë Profetit (a.s.) që rruga të cilën do të ndiqte do të ishte e vështirë dhe që ta ndërgjegjësojë profetin a.s që çështja me të cilën po obligohet kërkon seriozitet dhe lodhje

Vlera e natës së kadrit është shumë e madhe dhe kjo pasi në këtë natë,  filloi shpallja e Kuranit. Udhëzimi i gjithë njerëzimit filloi në këtë natë dhe të gjithë mrekullitë e Kuranit, sikur konkretizohen në këtë natë. Kurani është mëshirë, dhe kjo natë është mëshirë. Kurani është dritë dhe kjo natë është dritë. Kurani është shërim i shpirtrave dhe kjo natë e tillë është.

Nata e Kadrit është nata më e rëndësishme në jetën tonë, të cilën nuk duhet ta kalojmë si netët e tjera, pasi nga kjo natë varet e kaluara dhe e ardhmja e jonë, ngaqë në këtë natë mund të shpëtosh nga zjarri.

Profeti (a.s.), me qëllim që nata e Kadrit ta gjente në xhami duke u falur dhe lutur, hyri në itikaf 10 ditët e para të ramazanit. Por Xhibrili i erdhi dhe i tha: “Ajo që kërkon ti nuk ka ardhur akoma. Atëherë Profeti bëri itikaf dhe 10 ditët e mesme të ramazanit. Përsëri Xhibrili i erdhi dhe i tha që ajo që kërkon akoma nuk ka ardhur. Atëherë Profeti vazhdoi itikafin dhe 10 ditët e fundit.

Shikoni se si e priste Profeti natën e Kadrit në Ramazan dhe le ta krahsojmë se si e presim ne sot. Mendoni, që në këtë natë ka shumë njerëz që rrinë në klube dhe kafenë, rrugëve apo në shtëpi dhe nuk shkojnë në xhami të falen e t’i luten Zotit, duke shpresuar që ta arrijnë natën e Kadrit, pasi nga kjo varet lumturia e tyre në të dy jetët.

Po ç’farë shpërblimesh dhe të mira ka nata e Kadrit, me qëllim që ta shfrytëzojmë në maksimum?

E para: Nata e Kadrit është më e mirë se 1000 muaj. Nëse dikush prej nesh do të rrinte 1000 muaj – afërsisht 83 vjet – duke  adhuruar Zotin, nuk do e arrinte sevapin e kësaj nate. Pra, sikur të falësh dy rekat namaz këtë natë, të quhet më shumë se i ke falur për 83 vjet. Sikur të japësh 100 lek sadaka, të quhet sikur e ke bërë këtë gjë për 83 vjet rradhazi.

Ose, të marrim një shembull tjetër. Nëse për një njeri ana e punëve të këqia është më e madhe se ajo e punëve të mira. Sikur të vendoset adhurimi i Zotit në natën e Kadrit, do ia ngrente anën e punëve të mira për të gjithë jetën. Kush është ai që e humbet këtë sevap kaq të madh?!

E dyta: Thotë profeti a.s në një hadith: “Ai që adhuron Zotin këtë natë, duke shpresuar në shpërblimin e tij, i falen të gjitha gjynahet”. Mendoni, për një natë të vetme në të cilën i kushtohesh Krijuesit tënd, të falen të gjitha gjynahet që ke vepruar deri atëhere, pra është një lindje e dytë. Kush është ai që e refuzon këtë mirësi të madhe?!

Natën në të cilën doli drita e njerëzimit, ku filloi shpallja e Kur’anit, Zoti e kthen në natë të faljes dhe mëshirimit.

E treta:  Pranimi i lutjeve. Gjithashtu, kjo është nata në të cilën Zoti i pranon lutjet e robëve të Tij, pra është koha më e përshtatshme për t’u lutur.

Abdullah ibn Umer ndjente që ndonjëherë sikur ishin momente të pranimit të lutjeve nga Zoti dhe u thoshte shokëve: “Ndjej sikur në këto çaste të pranohen lutjet, prandaj ejani të lutemi”. Një ditë ai ishte me Abdullah ibnu Zubejrin dhe një tjetër, dhe u tha: “Sikur ndjej që është koha e pranimit të lutjeve, prandaj ejani të lutemi!” – dhe filluan t’i luten Zotit. Abdullahu tha: “O Zot, më bëj mua udhëheqës të muslimanëve!” I dyti i kërkoi që t’ia mundësonte të martohej me dikë që e deshte. Kurse Abdullah ibnu Umeri iu lut  Zotit, duke i thënë: “O Zot, m’i fal mua gjynahet dhe më bëj nga banorët e xhennetit”. Ai që e transmeton këtë hadith thotë se pashë që Zoti ua pranoi lutjen dy të parëve dhe Ai që ua pranoi lutjen atyre do ia pranojë edhe Abdullahit.

Aishja e pyeti njëherë Profetin (a.s.) që: “Nëse e dalloj natën e Kadrit, ç’farë të them?” Profeti iu përgjigj: “Thuaj: O Zot, Ti je falës, e dëshiron faljen, prandaj më fal mua!”

E katërta: shpëtimi nga zjarri i xhehenemit. Zoti i plotfuqishëm gjatë gjithë muajit të Ramazanit, nxjerr njerëz nga zjarri dhe i shkruan në banorët e xhennetit, kurse natën e Kadrit, kjo do të jetë pa llogari. Prandaj dhe Profeti (a.s.) thotë: “Fillimi i Ramazanit është mëshirë, (pasi njerëzit të mbushur me gjynahe kanë nevojë për mëshirë)  mesi i tij është  falje gjynahesh, kurse fundi i tij është shpëtim nga zjarri i xhehenemit”.

Dhe nëse je nga ato që Zoti do t’ua falë gjynahet dhe që do i nxjerrë nga zjarri, dije se nuk do të të lërë që t’u kthehesh përsëri atyre gjynaheve, që të mos bëhesh përsëri nga banorët e zjarrit, por do ta bëjë që ana e mirë e jotja të sundojë mbi të keqën. Ndonjëherë të duket që pas Ramazanit sikur je dikush tjetër, të duket vetja më e lehtë. Kjo, pasi Zoti në natën e Kadrit, t’i ka falur mëkatet që të rëndonin.

Shohim që Zoti i madhëruar, shpërblimin e Tij e lë në fund të muajit, ashtu siç marrim rrogat tona në fund të muajit, pas një pune të pandërprerë. Nëse dikush do të punonte vetëm një ditë, apo disa ditë në muaj, a mund të themi që i takon rroga e plotë? Kështu është dhe ai që agjëron një apo disa ditë, ose fale vetëm taravitë, apo ndonjë ditë të veçantë, a mund të themi që do e ketë shpërblimin njësoj me ato që adhurojnë Zotin gjithmonë dhe sidomos gjatë gjithë Ramazanit?! A mund të jenë njësoj?!

Tani le të shohim se ç’farë bënte vetë Profeti (a.s.) gjatë Ramazanit dhe sidomos gjatë 10 ditëve të fundit. Kur hynin 10 ditët e fundit të Ramazanit, Profeti a.s  e gjallëronte natën – sikur nata ishte e vdekur dhe Profeti ia kthente jetën. Po me ç’farë ?  Me lutje, namaz, lexim Kur’ani, dhikër etj… Dikush mund të thotë që unë nuk mundem, pasi ditën jam në punë dhe sikur të rri gjithë natën duke adhuruar Zotin, nuk shkoj dot në punë. Jo i dashur, islami nuk të thotë të falesh dhe të lësh punën apo shkollën. Po të shohim vetë Profetin do gjejmë që ai falej dhe lutej dhe pushonte, se e dinte që të nesërmen ish ditë punë apo do nisej për luftë etj…

E zgjonte familjen e tij, që të adhuronin Zotin. Herët e tjera Aishja flinte dhe Profeti nuk e zgjonte. Por kur vinin 10 ditët e fundit të Ramazanit e zgjonte familjen e tij për t’u falur. Dhe të falurit nuk është kusht që të kryhet vetëm në xhami, por mund ta kryesh dhe në shtëpi.

Dhe përvishej,  për të adhuruar Zotin. Pregatitej ashtu siç përvishemi kur i hyjmë një pune.

Po ç’farë mund të bëjmë diçka të veçantë gjatë 10 ditëve të fundit?

1- Të mos e humbasim asnjë namaz të tëravive me xhemat.

2- Të mos humbasim asnjë namaz nate, madje është mirë që ta përfundojmë leximin e Kur’anit vetëm me namaz nate (tehexhud). Njeriu gjatë jetës së tij duhet të ketë ideale të larta dhe vendosmëri. Dhe nëse nuk karakterizohet nga këto, quaje të vdekur, pasi do të karakterizohej vetëm me gjumë, i cili është vdekje.

3-  Të lutemi për veten tonë dhe për të gjithë muslimanët kudo janë.

4- Të  shtojmë dhënien e sadakasë në këto ditë.

Është mirë që njeriu, sidomos këto ditë, të largohet nga konfliktet dhe ngatërresat me njerëzit e tjerë. Profeti (a.s.) e dinte kur ishte nata e Kadrit dhe kur doli që t’ua tregonte njerëzve, gjeti dy muslimanë që po ziheshin dhe, ngaqë u vonua duke u marë me ta, e harroi se cilën ditë ishte nata e Kadrit. Pra, për shkak të një konflikti gjithë muslimanët nuk e dijnë se kur bie saktësisht nata e Kadrit. Kur Profeti (a.s.) për shkak të një konflikti mes dy muslimanëve harroi diçka të rëndësishme, po ne që nuk shkojmë mirë me njerëzit e afërm?! Kemi frikë se nuk mund ta arrijmë natën e Kadrit dhe shpërblimin e saj duke vazhduar në këtë gjendje. Një njeri tregon se i kishte dhënë vëllait të tij një shumë parash që ta ndihmonte dhe nuk i kishte marë as vërtetim për këtë, pasi e kishte vëlla. Një ditë e befason vëllai, duke i thënë se “nuk ke para borxh tek unë dhe nuk të jam borxhli!” Dhe i mbyll telefonin. Unë – tregon – e lashë këtë çështje, duke thënë: “O  ZOT, ky është vëllai im, i dhashë para ta ndihmoj, kurse ky m’i mohon tani. Sikur ta hedh në gjyq, do të fitoj ndoshta paratë, por do të humbas vëllanë, që është më i shtrenjtë për mua se sa paratë, të cilat mund t’i fitoj përsëri, kurse vëllanë jo. Tani jemi dhe në 10 ditët e fundit të Ramazanit, ditët e mëshirës dhe faljes,  prandaj do ia fal”. E mora në telefon vëllanë dhe i thashë: “O vëlla, Zoti na ka urdhëruar të shkojmë mirë me të afërmit, prandaj dhe unë të kam falur dhe nuk dua prej teje gjë”. Atë natë – tregon – pashë Profetin (a.s.) në ëndërr, i cili më tha: “Dua që të shkojmë bashkë të vizotojmë Qaben për umre. Dhe shkuam”. Të nesërmen më erdhi vëllai dhe më tha: “Ja ku i ke paratë e tua, se dhe unë kam nevojë për mëshirën e Zotit”.

Nëse dëshiron që ta arrish natën e Kadrit, largohu nga dy gjëra: konfliktet me njerëzit dhe gjynahet. Si gjynahet, si mosrespektimi i prindërve, si pasuria haram apo përgojimi i të tjerëve është perde që të ndan nga mëshira e Zotit.